Arbitrazhi për Aeroportin e Vlorës: Behgjet Pacolli akuzon për cenim të sigurisë juridike dhe paralajmëron betejë ligjore ndërkombëtare
Investitori dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për nisjen e procedurës për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke deklaruar se kompania MABCO Constructions SA do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave të saj.
Në një deklaratë publike, Pacolli u shpreh se ky vendim përbën një hap që prek një nga investimet më të mëdha të realizuara përmes partneritetit publik-privat në Shqipëri dhe se, sipas tij, synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata e koncesionit.
“Sot MABCO Constructions SA mori edhe shkresën zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me të cilën është iniciuar procedura për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Në thelb, ky veprim synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata e partneritetit publik-privat më e madhe e realizuar ndonjëherë në Shqipëri”, ka deklaruar Pacolli.
Sipas tij, për më shumë se një vit kompania ka zgjedhur dialogun institucional dhe rrugën e komunikimit për të shmangur një përplasje ndërkombëtare. Ai pretendon se gjatë kësaj periudhe janë krijuar situata që kanë ndikuar në zbatimin normal të projektit, duke përmendur tentativa për ndryshime në strukturën e investitorit, masa gjyqësore kontradiktore, përjashtimin e MABCO-s nga administrimi i investimit dhe pengesa në aksesin në kantier.
Pacolli argumenton se pengesat kanë ndodhur pikërisht në fazën përfundimtare të projektit, kur aeroporti ishte pranë procesit të certifikimit, duke theksuar se investitori është penguar në përmbushjen e detyrimeve kontraktore. Sipas tij, përdorimi i këtyre pasojave si argument kundër kompanisë krijon një situatë ku një palë përfiton juridikisht nga një pengesë që, sipas pretendimeve të tij, është krijuar ose toleruar nga institucionet.
Në deklaratën e tij, Pacolli thotë se vendimi i Ministrisë bie ndesh me kontratën e koncesionit, marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e investimeve dhe parimet themelore të sigurisë juridike. Ai gjithashtu kundërshton përmbajtjen e shkresës së Ministrisë, duke pretenduar se disa prej konkluzioneve të saj nuk përputhen me dokumentacionin dhe realitetin e projektit.
Një nga çështjet e ngritura nga Pacolli lidhet edhe me kërkesën për një auditim të pavarur ndërkombëtar teknik dhe financiar mbi investimin në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Ai deklaron se kjo kërkesë është paraqitur që nga gushti i vitit 2025, por sipas tij nuk ka marrë përgjigjen e kërkuar nga institucionet përgjegjëse.
“Unë nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë pasojat e veprimeve ose mosveprimeve të disa zyrtarëve. Megjithatë, në rrethanat e krijuara, MABCO nuk ka më asnjë alternativë tjetër përveç mbrojtjes së të drejtave të saj me të gjitha mjetet juridike që parashikojnë kontrata dhe e drejta ndërkombëtare”, është shprehur Pacolli.
Ai ka bërë të ditur se në rast të procedurave të arbitrazhit ndërkombëtar, MABCO do të paraqesë të gjitha faktet, provat dhe dokumentacionin që disponon, duke shprehur bindjen se procesi do të sqarojë të gjitha rrethanat e kësaj përplasjeje.
Sipas Pacollit, kjo nuk është një betejë që MABCO e ka kërkuar, por rezultat i një konflikti të krijuar nga veprimet dhe mosveprimet institucionale që, sipas tij, kanë cenuar kontratën, investimin dhe besimin në sigurinë juridike.
Çështja e Aeroportit të Vlorës tashmë pritet të marrë një dimension të ri juridik, ndërsa palët përballen përballë një procesi që mund të përcaktojë jo vetëm fatin e këtij projekti strategjik, por edhe perceptimin e klimës së investimeve në Shqipëri./rajonipress/

