Policia e Gjilanit apelon për kujdes: Mos lini sende me vlerë në automjete, rritet rreziku i vjedhjeve
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë parkimit të automjeteve, duke paralajmëruar se lënia e sendeve me vlerë në vende të dukshme brenda automjeteve krijon mundësi për kryerjen e vjedhjeve.
Sipas Policisë, rastet e vjedhjeve nga automjetet ndodhin shpesh kur autorët vërejnë çanta, portofola, telefona celularë, kompjuterë portativë, tableta, dokumente personale apo sende të tjera me vlerë të lëna në pjesën e dukshme të automjetit.
Për të parandaluar raste të tilla, Policia u rekomandon qytetarëve që të mos lënë asnjë send me vlerë brenda automjeteve në vende të ekspozuara dhe, para se të largohen, të sigurohen se dyert janë të kyçura dhe dritaret të mbyllura plotësisht.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan thekson se bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për rritjen e sigurisë. Për këtë arsye, fton të gjithë që, në rast se vërejnë persona ose veprime të dyshimta pranë automjeteve apo në parkingje, të njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës përmes numrit pa pagesë 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Policia rithekson se masat e thjeshta parandaluese mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e vjedhjeve dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e pronës së qytetarëve./rajonipress/


