Prokuroria e Gjilanit ngre 14 aktakuza ndaj 20 personave për vepra të ndryshme penale
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur katërmbëdhjetë (14) aktakuza kundër njëzetë (20) personave të dyshuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale, duke vazhduar aktivitetin e saj në ndjekjen dhe luftimin e kriminalitetit në rajon.
Sipas njoftimit zyrtar, aktakuzat përfshijnë një gamë të gjerë veprash penale, që nga krimet kundër pasurisë e deri te ato kundër rendit publik dhe sigurisë. Dy aktakuza janë ngritur për veprën penale “Vjedhje e shërbimeve”, dy të tjera për “Vjedhje pylli”, si dhe dy aktakuza për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Po ashtu, një aktakuzë është ngritur ndaj tre personave për “Uzurpim të paligjshëm të pronës publike”, ndërsa një tjetër ndaj tre personave për veprën penale “Sulmi”.
Në mesin e rasteve të proceduara është edhe një aktakuzë ndaj tre personave për veprat penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Prokuroria ka ngritur gjithashtu aktakuza të veçanta për veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Dhuna në familje”, “Mashtrimi”, “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Rrezikimi i trafikut publik”, secila ndaj nga një personi të dyshuar.
Autoritetet e drejtësisë kanë bërë të ditur se procedurat penale do të vazhdojnë në gjykatat kompetente, ndërsa rastet e ngritura pasqyrojnë përkushtimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e rendit juridik./rajonipress/


