KBI Gjilan mirëpret bashkatdhetarët: Diaspora mbetet shtyllë e rëndësishme e zhvillimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar
Gjilan – Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) në Gjilan organizoi një pritje të veçantë për bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në vende të ndryshme të diasporës, duke shprehur mirënjohjen për kontributin e tyre shumëvjeçar dhe duke riafirmuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të forta ndërmjet mërgatës, vendlindjes dhe institucioneve të Kosovës.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, ku u vlerësua roli i diasporës jo vetëm si mbështetëse ekonomike, por edhe si ruajtëse e identitetit kombëtar, kulturor dhe fetar të shqiptarëve.
Në emër të KBI-së në Gjilan, të pranishmit i përshëndeti kryetari, Naim ef. Aliu, i cili falënderoi bashkatdhetarët për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendlindjes. Ai theksoi se, pavarësisht largësisë gjeografike, mërgata ka qenë gjithmonë pranë familjeve, institucioneve dhe komunitetit, duke dhënë një kontribut të çmuar edhe në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve fetare në territorin e Gjilanit.
Sipas tij, ndihma e diasporës nuk matet vetëm në aspektin material, por edhe në vlerat shpirtërore dhe lidhjen e fuqishme që ajo vazhdon ta ruajë me vendin e prejardhjes.
Takimin e përshëndeti edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi-Kqiku, e cila, në emër të institucioneve komunale, vlerësoi kontributin e bashkatdhetarëve dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet diasporës dhe institucioneve lokale.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, i cili u uroi mirëseardhje mërgimtarëve në Kosovë dhe vlerësoi rolin historik të diasporës në mbështetjen e proceseve kombëtare, humanitare dhe institucionale.
Në emër të bashkatdhetarëve foli Fahredin Bunjaku, i cili falënderoi organizatorët për mikpritjen dhe kujdesin e treguar, duke theksuar se takime të tilla forcojnë lidhjet me vendlindjen dhe i bëjnë mërgimtarët të ndihen pjesë aktive e zhvillimeve në Kosovë. Ai nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së brezave të rinj të diasporës në jetën kulturore, shoqërore dhe fetare, me qëllim ruajtjen e gjuhës shqipe, identitetit dhe traditave kombëtare.
Gjatë takimit u theksua se diaspora shqiptare ka qenë ndër shtyllat kryesore të mbështetjes së Kosovës në periudha të ndryshme historike, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik, ndërtimin e objekteve publike e fetare, arsimin, kulturën dhe veprimtaritë humanitare. U vlerësua se marrëdhëniet me mërgatën duhet të ndërtohen mbi respekt të ndërsjellë, komunikim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim institucional, duke e konsideruar diasporën partner strategjik në zhvillimin e vendit.
Takimi u përmbyll me një drekë të përbashkët, ku bashkatdhetarët dhe përfaqësuesit institucionalë patën mundësi të zhvillojnë biseda dhe të shkëmbejnë ide në një atmosferë të ngrohtë, duke forcuar edhe më tej urat e bashkëpunimit ndërmjet diasporës dhe vendlindjes./rajonipress/


