Potenciali transformues i Inteligjencës Artificiale në gazetarinë moderne
Sali Salihu, mbajtës i titullit master në gazetari dhe komunikim, autor i “Semiotika e imazheve – [de]konstruktimi i përmbajtjeve vizuale përmes gjuhës se shenjave” dhe “Komunikimi i brendshëm si funksion menaxhues”.
Marrëdhënia simbiotike midis gazetarisë dhe teknologjisë ka qenë gjithmonë thelbësore për evolucionin e diskursit publik, angazhimit qytetar dhe institucioneve mediatike. Nga shpikja e shtypshkronjës e deri te shfaqja e internetit dhe, së fundmi Inteligjenca Artificiale (IA), gazetaria ka qenë vazhdimisht në një proces të pafund adaptimi dhe formësimi përmes teknologjive të reja. Këto inovacione kanë riformësuar mënyrën se si prodhohen, shpërndahen dhe konsumohen lajmet, shpesh duke përshpejtuar ritmin e shpërndarjes së informacionit, ndërkohë që kanë transformuar normat dhe etikën gazetareske.
Në çdo epokë të gazetarisë, teknologjitë e reja kanë transformuar mënyrën se si rrëfejmë histori, informojmë publikun dhe mbajmë pushtetin përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet e veta. Sot jemi në prag të një tjetër ndryshimi tjetër paradigmatik, më të thellë dhe më kompleks se cilëndo herë më parë: integrimin e Inteligjencës Artificiale në thelb të praktikave gazetareske.
Për gazetarët, reporterët dhe redaktorët, Inteligjenca Artificiale nuk është më një koncept i largët që i përket vetëm laboratorëve teknologjikë apo fantashkencës. Ajo është në të gjitha pajisjet tona, e integruar në motorët e kërkimit, formëson rekomandimet e përmbajtjes në heshtje, fuqizon mjetet e transkriptimit, organizon dhe analizon sasi të mëdha të dhënash dhe gjithnjë e më shumë ndikon në rrjedhat redaksionale. Pyetja nuk është më nëse Inteligjenca Artificiale do ta afektojë gazetarinë sepse një gjë e tillë tashmë ka ndodhur, por pyetja urgjente është se si gazetarët do të ndërveprojnë me të.
Në formën më të mirë, Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë gazetarët të punojnë më shpejtë, të analizojnë më thellë dhe të arrijnë audienca më të gjera. Në formën më të keqe, ajo mund të amplifikojë dezinformimin dhe të zbehë ndjeshëm përgjegjësitë etike dhe profesionale që e bëjnë gazetarinë një gurthemel të demokracisë. Thënë këtë, Inteligjenca Artificiale duhet të trajtohet me kujdes. Nuk duhet të kemi frikë nga ajo, por as ta pranojmë verbërisht.
Demistifikimi i Inteligjencës Artificiale
Ndërsa Inteligjenca Artificiale (IA) vazhdon të rimodelojë industri të ndryshme, konceptet themelore të saj mbeten të mjegullta për shumë njerëz. Për gazetarët sidomos, qartësia mbi atë se çfarë është dhe çfarë bën Inteligjenca Artificiale është thelbësore për përdorim etik dhe të informuar. Në këtë kapitull do të ndalem te disa shpjegime të rëndësishme mbi terminologjinë e IA-së, llojet kryesore si Procesimi i Gjuhës Natyrore (Natural Language Processing NLP), Mësimi Makinerik (Machine Learning) dhe IA Gjeneruese (Generative IA), si dhe për vendin e tyre në literaturën akademike dhe praktikat e tanishme.
Çfarë është Inteligjenca Artificiale? Inteligjenca Artificiale, e përcaktuar gjerësisht, i referohet sistemeve kompjuterike të afta të kryejnë detyra që tradicionalisht kërkojnë inteligjencë njerëzore, siç janë arsyetimi, perceptimi, vendimmarrja, kuptimi i gjuhës dhe mësimi nga përvoja (Financial Times AI Glossary, 2023). Sipas një përkufizimi të qeverisë amerikane, sistemet e Inteligjencës Artificiale janë konstruksione makinerike që, për qëllime të përcaktuara nga njeriu, gjenerojnë parashikime, rekomandime ose vendime që ndikojnë në mjedise reale apo virtuale (University of Michigan Law Library, 2025).
Inteligjenca Artificiale shpesh ndahet në Inteligjencë të Ngushtë Artificiale, Sisteme të Optimizuara për Detyra Specifike, dhe Inteligjencën e Përgjithshme Artificiale, e cila synon të imitojë aftësi të gjera mendore të ngjashme me kognicionin njerëzor (Financial Times AI Glossary, 2023).
Mësimi Makinerik (Machine Learning) është një nënfushë kryesore e IA-së, ku sistemet mësojnë automatikisht modele nga të dhënat dhe përmirësojnë performancën me kalimin e kohës pa programim eksplicit (Janiesch, Zschech, & Heinrich, 2021). Mësimi Makinerik përfshin mësimin e mbikëqyrur (supervised learning), mësimin e pa mbikëqyrur (unsupervised learning), dhe mësimin për përforcim (reinforcement learning) (Min et al., 2021).
Në kuadër të Mësimit Makinerik, Mësimi i Thellë (Deep Learning) përdorë rrjete shumë-shtresore për të përpunuar të dhëna të pa strukturuara (p.sh. imazhe, audio, tekste) dhe për të nxjerrë veçori komplekse në mënyrë automatike (Janiesch et al., 2021). Mësimi Makinerik përbën themelin e sistemeve të Procesimit të Gjuhës Natyrore (NLP) dhe modeleve gjeneruese.
Procesimi i Gjuhës Natyrore (NLP) është një degë e IA-së e dedikuar për të mundësuar që kompjuterët të kuptojnë, interpretojnë dhe gjenerojnë gjuhën njerëzore, qoftë të shkruar apo të folur (Janiesch et al., 2021). Procesimi i Gjuhës Natyrore bazohet në gjuhën kompjuterike dhe Mësimin Makinerik për të realizuar detyra të tilla si klasifikimi teksteve, analizat e sentimentit, përkthimet dhe përmbledhjet (Vaswani et al., 2017).
Inteligjenca Artificiale Gjeneruese i referohet klasës së modeleve të Mësimit Makinerik, të afta të krijojnë përmbajtje të re, si tekste, imazhe, audio ose video të ngjajnë me përmbajtje reale (Arrieta et al., 2019). Këto sisteme krijohen në bazë të dhënash të mëdha dhe gjenerojnë produkte bazuar në modele të nxjerra dhe korrelacione statistikore (Goodfellow et al., 2014).
Gazetaria në presion
Për ta kuptuar pse Inteligjenca Artificiale ka rëndësi më shumë se kurrë, duhet të fillojmë me kontekstin në të cilin vepron gazetaria sot. Gazetari modern po lundron në një ambient me ndryshime dramatike që manifestohet me rënie të besimit ndaj mediave, paqëndrueshmëri ekonomike të organizatave mediale, shpërthimi gjithnjë e më i madh i përmbajtjeve të krijuara nga përdoruesit dhe përhapja e dezinformatave që janë gjithnjë e më të sofistikuara dhe të vështira për t’u zbuluar.
Revolucioni digjital i nisur para dy dekadash theu modelet tradicionale të biznesit të mediave, që u manifestuan me tkurrje të redaksive dhe reduktim të kapaciteteve hulumtuese. Për shumicën e publikut, platformat e rrjeteve sociale janë bërë porta kryesore për konsumimin e lajmeve, por problemi qëndron te fakti se ato drejtohen nga algoritme jo transparente që i japin përparësi angazhimit se sa të vërtetës, viralitetit se sa verifikimit.
Në një mjedis të tillë sfidues, Inteligjenca Artificiale paraqitet si një aleat i fuqishëm dhe një kundërshtar i mundshëm njëkohësisht. Tani algoritmet vendosin për titujt që njerëzit shikojnë. Mjetet tradicionale gazetareske nuk mjaftojnë më. Duhet të adoptohen mjete të reja, të bazuara në Inteligjencë Artificiale, dhe të përdoren me përgjegjësi.
Potenciali transformues i Inteligjencës Artificiale
Inteligjenca Artificiale tashmë ka demonstruar aftësinë për të përmirësuar rendimentin dhe kreativitetin e gazetarit. Shërbimet automatike të transkriptimeve si Otter.ai apo Trint u kursejnë gazetarëve orë të zgjatura pune që më herët është dashur të kryhen manualisht. Modelet gjuhësore si ChatGPT ndihmojnë në përmbledhjen e dokumenteve të gjata, gjenerimin e drafteve fillestare dhe identifikimin e kundërshtive gjatë punës hetimore.
Platformat e vizualizimit të të dhënave të fuqizuara nga Inteligjenca Artificiale i bëjnë statistikat komplekse të qasshme dhe tërheqëse për lexuesin mesatar. Associated Press, për shembull, filloi të përdorë Inteligjencën Artificiale për të automatizuar raportet financiare që në vitin 2014, duke rritur vëllimet e artikujve të publikuar dhe duke liruar gazetarët nga detyrat analitike, të cilat në përgjithësi u marrin shumë kohë. The Washington Post zhvilloi një vegël të brendshme të Inteligjencës Artificiale, Heliograf, për të mbuluar Olimpiadën e Rio de Zhaneiros dhe zgjedhjet amerikane me azhurnime automatike. Reuters ka eksperimentuar me Inteligjencën Artificiale për të monitoruar lajmet e fundit në rrjetet sociale, duke i evidentuar zhvillimet relevante që mund t’u hyjnë gazetarëve në punë për hulumtime të mëtejme. Këta nuk janë skenarë futuristikë, por realitete të redaksive moderne.
Por, ndikimi i Inteligjencës Artificiale nuk kufizohet vetëm në përshpejtimin e detyrave rutinore. Ajo mundëson forma të reja të tregimit dhe raportimit. Përpunimi natyral i gjuhës (Natural Language Processing) ua mundëson gazetarëve të thellohen në baza të mëdha të dhënash (dokumente ligjore, dokumente e dosje të qeverisë, apo të dhëna shëndetësore, etj.), për të zbuluar modele dhe lidhje operacionale që do të mbeteshin të fshehura. Teknologjitë kompjuterike përdoren për të analizuar imazhe satelitore për shpyllëzimin, lëvizjet e refugjatëve ose dëmtimet e infrastrukturës në zonat e konfliktit.
Bashkëpunimi midis gazetarëve dhe teknologëve po ngjallë atë që njihet si “gazetari kompjutometrike” (computational journalism), një disiplinë që ngërthen hulumtimin gazetaresk me kërkimin algoritmik. Redaksi si ProPublica dhe The New York Times janë pionierë në përdorimin e mësimit makinerik (Machine Learning) për të zbuluar praktika diskriminuese në banim social, polici dhe kujdes shëndetësor. Në këtë kuptim, Inteligjenca Artificiale zgjeron kufijtë e asaj që gazetaria na ka ofruar deri sot.
Sfidat dhe përgjegjësitë etike
Por, me një potencial të madh si ky, doemos vijnë edhe përgjegjësi të mëdha. Sistemet e Inteligjencës Artificiale, veçanërisht ato të bazuara në të dhëna masive, shpesh i përforcojnë edhe paragjykimet ekzistuese në shoqëri. Kur lihet pa mbikëqyrje, Inteligjenca Artificiale mund të riprodhojë stereotipa racor, gjinor apo kulturor. Imagjino pasojat e një sistemi të lajmeve të rekomanduara që përhapë dhe amplifikon përmbajtje sensacionaliste apo përçarëse.
Për më tepër, përdorimi në rritje teksteve, imazheve dhe videove të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale paraqet një kërcënim të madh për besueshmëri në punën e gazetarit. Me avancimet teknologjike do të zvogëlohet edhe aftësia e publikut për të dalluar përmbajtjet e vërteta nga ato të rremet. Kjo kërkon një rishikim funksional të rolit të gazetarit si verifikues dhe si agjent i saktësisë dhe paanshmërisë, sidomos në situata të turbullta.
Një tjetër çështje me të cilën duhet të përballemi është autorësia. Nëse Inteligjenca Artificiale na asiston në shkrimin e një artikulli lajmesh, kush është përgjegjës për përmbajtjen e atij lajmi? A mund të kuptojë një algoritëm vlerat gazetareske si korrektësia, përgjegjësia shoqërore, empatia apo interesi publik? A do t’i zëvendësojë Inteligjenca Artificiale gazetarët e rinj dhe verifikuesit e fakteve, apo do t’i fuqizojë ata? Këto nuk janë thjesht çështje teknike, por çështje etike dhe filozofike që kërkojnë debat të thelluar dhe zhvillim të politikave gjithëpërfshirëse brenda redaksive, institucioneve mediatike dhe shoqërisë në tërësi.
Inteligjenca Artificiale nuk mund të zëvendësojë misionarin. Ajo është refleksion i zhvillimit tonë. Nëse e trajnojmë me ndershmëri, e shfrytëzojmë me etikë dhe e përdorim me urtësi, ajo mund të na ndihmojë të zbulojmë të vërteta më të thella dhe të kapim audienca më të gjera. Thënë më shkurt dhe më qartë: Inteligjenca Artificiale nuk mund ta zëvendësojë intuitën, guximin apo mendimin kritik të gazetarit. Ajo nuk mund ta kuptojë nuancën emocionale të një nëne që qan pas një përmbytjeje, tensionin në një sallë gjyqi, apo frymën e një proteste qytetare për drejtësi. Ajo nuk mund të aranzhojë një intervistë, të kontekstualizojë një moment historik, apo të zgjedhë heshtjen në vend të sensacionalizmit. Këto janë zgjedhje thellësisht njerëzore, dhe të tilla do të mbeten.
Së këndejmi, e ardhmja e gazetarisë nuk do të përcaktohet nga Inteligjenca Artificiale, por nga mënyra sesi gazetarët vendosin ta përdorin atë. Teknologjia nuk e përcakton rezultatin. Rezultate gjenerojnë zgjedhjet që i bëjmë ne. Ashtu siç i përdorim kamerat, mikrofonët dhe softuerët për redaktim gjuhësor në funksion të lehtësimit të punëve të përditshme, me po kaq vigjilencë duhet të përdorim edhe Inteligjencën Artificiale, si për informim dhe shkrime hulumtuese, ashtu edhe për frymëzim. Inteligjenca Artificiale duhet të shërbejë si një partner që ka potencialin për të na i rritur aftësitë për të përmbushur misionin themelor të gazetarisë: informimin publik, zbardhjen e së vërtetës dhe promovimin e vlerave demokratike.
Një situatë si kjo kërkon edhe një lloj ri-edukimi sepse gazetarët duhet të mësojnë “gjuhën e algoritmeve”. Redaktorët duhet t’i kuptojnë kufizimet e sistemeve të automatizuara. Drejtuesit e mediave duhet të investojnë jo vetëm në Inteligjencë Artificiale, por edhe në trajnime, etikë dhe bashkëpunim ndër-disiplinor.
Referencat
Arrieta, A. B., Díaz Rodríguez, N., Del Ser, J., Bennetot, A., Tabik, S., Barbado, A., Herrera, F. (2019). Explainable Artificial Intelligence (XAI): Concepts, taxonomies, opportunities and challenges toward responsible AI. https://arxiv.org/pdf/1910.10045
Danilevsky, M., Qian, K., Aharonov, R., Katsis, Y., Kawas, B., & Sen, P. (2020). A survey of the state of explainable AI for Natural Language Processing. https://arxiv.org/pdf/2010.00711
Janiesch, C., Zschech, P., & Heinrich, K. (2021). Machine learning and deep learning. https://arxiv.org/pdf/2104.05314
Min, B., Ross, H., Sulem, E., et al. (2021). Recent advances in Natural Language Processing via large pre trained language models: A survey. https://arxiv.org/pdf/2111.01243
Financial Times AI Glossary. (2023). FT. https://www.ft.com/content/c0c8d205-e158-409e-963c-a3ac821cd7ba
University of Michigan Law Library. (2025). Generative AI: Glossary. https://libguides.law.umich.edu/c.php?g=1456750&p=10830940&utm_source=chatgpt.com
UIS AI Glossary. (2025). University of Illinois Springfield. https://www.uis.edu/resource/ai/ai-definitions-terminology?utm_source=chatgpt.com
Goodfellow, I., Pouget Abadie, J., Mirza, M., Xu, B., Warde Farley, D., Ozair, S., … Bengio, Y. (2014). Generative adversarial nets. Proceedings of Neural Information Processing Systems. https://en.wikipedia.org/wiki/Generative_adversarial_network?utm_source=chatgpt.com
Vaswani, A., et al. (2017). Attention is all you need. Neural Information Processing Systems Conference. https://aai.martinlab.science/lectures/nlp-and-genai/1.-introduction-to-nlp-and-generative-ai?utm_source=chatgpt.com
The Verge. (2023). AI is confusing – here’s your cheat sheet. The Verge. https://www.theverge.com/24201441/ai-terminology-explained-humans?utm_source=chatgpt.com


