UBT

Ku mbet reciprociteti?

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Milaim Shefkiu – Për çdo javë, ose edhe më shpesh, një delegacion i Kosovës udhëton drejt Brukselit për të negociuar me palën serbe për çështjet që ata i apostrofojnë si teknike. Sa herë që nisen nga Prishtina, Edita Tahiri me grupin e saj shihet se janë esëll, por kur kthehen nga Brukseli, ose janë të dehur, ose “somnambulë”, pasi që, siç thotë populli “asnjërit nuk i pret sakica me një vend”.

Pas çdo marrëveshjeje, njëri prej ekipit dialogues i bie “thumbit e tjetri patkoit” dhe kështu qytetarët vazhdojnë të mbesin të hutuar. Kjo praktikë e logjikës “Potemkin” ka vazhduar që nga fillimi i bisedimeve e fatkeqësisht po vazhdon edhe në nivelin politik, që të krijojnë sa më shumë mjegull ose të krijojnë iluzione në masë.

Kështu ka ndodhur në Marrëveshjen për Policat e Sigurimeve, që u tha se janë reciproke me Serbinë. Për ata që nuk e dinë “Reciprok” është: “lidhje ndërmjet dy anëve a palëve shkëmbyerazi; ose që është i njëjtë e i përbashkët për të dyja palët, i ndërsjellë, i dyanshëm”.
Kështu u tha pas Marrëveshjes së 23 qershorit nga dy përfaqësuesit që ishin në bisedime, Edita Tahiri – ministre për Dialog dhe Rrahim Pacolli – përfaqësues nga Byrja Kosovare e Sigurimeve, i determinuar për negociata me palën serbe.

Pasi u arrit Marrëveshja dhe filloi të aplikohet me 12 gusht, të dy u deklaruan se kjo është një e arritur e madhe ndërmjet dy shteteve dhe me këtë rast Serbia e hëngri, sepse e njohu Kosovën. Kjo klisheja e njohjes u përsërit si ajo kaseta e prishur për të 20-ën herë, (aq sa janë marrëveshjet e Brukselit) e realisht s’u bë kurrë, e vështirë se do të bëhet në këtë decenie.

Ende pa filluar mirë “reciprociteti” Serbia nxori “Probna Tablica” që aplikohen për qytetarët e Kosovës me targat RKS e madje nxori tarifa të majme për mbajtjen e këtyre targave prej letre: 16 euro për ditën e parë dhe nga 5 euro për çdo ditë që i mban, sepse letra sipas perceptimit serb “dëmtohet”. Në anën tjetër, serbët që vijnë nga Krraleva e Valeva hyjnë në Kosovë me kartonin e gjelbër, pa paguar asnjë metelik, kurse kosovarët paguajnë njëfarë sigurimi TPL-Plus nga 40 euro e më shumë.

Fundamenti

Kur u pa se kjo nuk është reciprocitet, por njëanshmëri, të dy përfaqësuesit në bisedime filluan të qesin shkelma e madje duke kërcënuar Serbinë se edhe Kosova do të aplikojë standarde të njëjta duke vendosur “Tabela Provuese”. Por, në këtë betejë, pas dy javësh, mbeti vetëm Rrahimi, i cili Marrëveshjen e interpretoi në aspektin logjik, se sigurimi TPL-Plus nuk mund të aplikohet për targa “Proba”, por për targat që i mban. Ai tha se në këtë mesele është keqinterpretuar Marrëveshje e Sigurimit.

Mirëpo Edita Tahiri, që drejton bisedimet, u tërhoq nga reciprociteti dhe filloi të replikojë me Pacollin. Ajo tha se Rrahimit iu kanë ngatërruan marrëveshjet, ajo për Targat me këtë të Sigurimeve. Sipas Editës s’ka më reciprocitet, sepse Marrëveshja për Targat e vitit 2011 nuk lidhet me atë të Sigurimeve të vitit 2015 dhe se “Marrëveshjet janë OK”. Edita në këtë rast i hëngri llafet e veta si Nasradini. “Pse Nasradin pi hanë llafet – i tha një mik. Ai ia priu: Pi ha të miat, mos pi ha tuat”.

Në fillim ministrja për Dialog kërcënoi me reciprocitet ndaj Serbisë, por duket se faktori ndërkombëtar ka ndikuar që ajo të tërhiqet. Dhe tani në Serbi hyhet me targat KS, që e kthejnë Kosovën në UNMIK, kur nuk kishte pavarësi. Madje, nëse heqim dorë nga shtetësia, atëherë pa asnjë hezitim aplikohet Lëvizja e lirë me Serbinë (pa marrëveshje), nga Morina deri në Paliq të Vojvodinës.

Pas këtyre përplasjeve dhe mosmarrëveshjeve që plasën brenda ekipit të Prishtinës, doli e saktë deklarata e ministrit serb, Marko Gjuriq, se “Marrëveshja për Policat e Sigurimeve është bërë kryekëput për serbët”. Sipas tij, serbët tani hyjnë lirshëm në Kosovë pa paguar taksa kufitare.

Kjo Lëvizje e Lirë zbatohet në të gjitha pikat në veri, legale e ilegale, por jo edhe për shqiptarët e brezit kufitar me Luginën e Preshevës, në Dobrosin, Breznicë, Maxhere… Në këto pika kufitare nuk kalohet as me targat KS, sepse “Marrëveshja është e njëanëshe” dhe këto pika që ndajnë shqiptarët nuk janë të zyrtarizuara-legalizuara nga dy palët, veçanërisht nga Serbia.