Kamenica përkujton 25-vjetorin e rënies heroike të Rahim Beqirit – Komandant Roki
Kamenicë – Me homazhe, vendosje lulesh dhe aktivitete përkujtimore, Komuna e Kamenicës ka shënuar 25-vjetorin e rënies heroike të dëshmorit të kombit, Rahim Beqiri – Komandant Roki, duke nderuar jetën, veprën dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës.
Aktivitetet përkujtimore nisën me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Kamenicë, ndërsa më pas u vendosën kurora me lule pranë lapidarit të Komandant Rokit në fshatin Kopernicë, vendlindjen e tij, ku u përkujtua me respekt të veçantë kontributi i tij në luftën për çlirimin e vendit.
Në ceremoni morën pjesë kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, nënkryetarja Arta Bajralija, shefi i kabinetit Vaxhid Rexhepaj dhe kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera.
Përfaqësuesit institucionalë u pritën nga familjarët e dëshmorit, djemtë e Rahim Beqirit, si dhe nga bashkëluftëtarë të ardhur nga Maqedonia e Veriut, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësime për figurën e Komandant Rokit dhe rolin e tij në luftën çlirimtare.
Me këtë rast, kryetari Kadri Rahimaj theksoi se sakrifica e Rahim Beqirit mbetet një simbol i përkushtimit të palëkundur ndaj atdheut dhe lirisë.
“Sakrifica e Rahim Beqirit mbetet dëshmi e përkushtimit ndaj atdheut dhe lirisë, ndërsa kujtimi për të dhe për të gjithë dëshmorët e kombit do të ruhet ndër breza”, u shpreh Rahimaj.
Pas ceremonive zyrtare, familjarë, bashkëluftëtarë, qytetarë dhe pjesëmarrës të shumtë iu bashkuan ecjes tradicionale përkujtimore të organizuar në nderim të Komandant Rokit, duke dëshmuar se vepra dhe ideali i tij vazhdojnë të jetojnë në kujtesën kolektive.
Përfaqësuesit e Komunës së Kamenicës ritheksuan se përkujtimi i dëshmorëve të kombit është obligim moral dhe historik, ndërsa trashëgimia e tyre mbetet udhërrëfyes për brezat e rinj në ruajtjen e lirisë, shtetit dhe vlerave për të cilat ata dhanë jetën.
Lavdi e përjetshme dëshmorit Rahim Beqiri – Komandant Roki! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!/rajonipress/


