Zjarrfikësit lokalizojnë zjarrin në Kabash të Vitisë, Hetem Jakupi: Dyshohet se u shkaktua nga papërgjegjësia njerëzore
Viti – Ekipet e Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH) në Viti kanë intervenuar me sukses në shuarjen e një zjarri që ka përfshirë një zonë në fshatin Kabash.
Lajmin e ka bërë të ditur shefi i zjarrfikësve, Hetem Jakupi, i cili theksoi se falë reagimit të shpejtë dhe angazhimit maksimal të zjarrfikësve, flakët janë vënë nën kontroll në kohë, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në sipërfaqe të tjera dhe shmangur dëme edhe më të mëdha.
Jakupi e cilësoi rastin si shqetësues, duke shprehur dyshimin se zjarri është shkaktuar si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme njerëzore.
“Ky është një rast i shëmtuar, i shkaktuar nga persona të papërgjegjshëm, të cilët me veprimet e tyre rrezikojnë jetën e qytetarëve, pasurinë dhe mjedisin”, ka deklaruar ai.
Shefi i zjarrfikësve u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, duke theksuar se temperaturat e larta dhe kushtet atmosferike e rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së flakëve. Ai apeloi gjithashtu për bashkëpunim me institucionet dhe raportim të menjëhershëm të çdo rasti të dyshimtë, në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i jetës, pronës dhe mjedisit./rajonipress/


