Skandali me delet e konfiskuara vazhdon, përgjegjësi nuk merr askush
Gjilan – Doganierët e Kosovës ende s`kanë arritur t`i marrin në “pyetje” 110 delet e konfiskuara gabimisht nga policia kufitare në Stublinë. Skandali me delet e konfiskuara ende po vazhdon kurse përgjegjësi për skandalin e shkaktuar ende askush nuk ka marr.
Dogana e Kosovës pas konfiskimit me urdhër të policisë kufitare të 110 deleve që ishin të pronarit shqiptar nga Dobrosini ende nuk i ka dorëzuar ato tek pronari i saj në Dobrosin.
Të enjten vonë pasdite delet janë dërguar deri në kufirin mes Kosovës e Serbisë, por nuk janë lejuar të kalojnë nga ana e policisë kufitare. Pronari i deleve është ndier i befasuar nga kjo sjellje e policëve dhe doganierëve dhe për pasojë delet sërish janë kthyer në doganë tek “Dheu i Bardhë”.
Banorët e Dobrosinit kanë protestuar për këtë gjest dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e liderëve të Luginës, por edhe të Lutfi Hazirit i cili sipas banorëve gjithmonë e përmend Luginën për poena politik kurse tani fare nuk ka ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi.
“Sa herë që kanë nevojë për fushatë na thërrasin e tani asnjë lider i Luginës e as Lutfi Haziri nuk e thanë asnjë fjalë. Çfarë kufiri është ky kur andej jemi shqiptar e këndej shqiptarë. Kontrabanduesit e vërtet që çdo ditë frekuentojnë këndej pari nuk i prek askush sepse ata bashkëpunojnë me policët kufitar kurse ne të shkretët jemi goditur vetëm pse nuk kemi para për tu dhënë policëve” tha një banor nga Dobrosini.
Ndryshe kryeprokurori Jetish Maloku ka kërkuar nga policia kufitare që në të ardhmen mos të konfiskojë kafshë që dalin për kullosa dhe që janë të verifikueshme nga banorët.
Odisejada me këto dele po vazhdon ende meqë të premten pritet të vendosin zyrtarët e doganës se çfarë të bëjnë pas tërë këtij pështjellimi skandaloz./rajonipress/


