Policia e Gjilanit apelon për qetësi gjatë natës, paralajmëron masa ndaj shkaktuesve të zhurmës
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve dhe subjekteve afariste që të respektojnë rendin dhe qetësinë publike gjatë orëve të natës, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zhurmë të panevojshme dhe shqetësim për banorët.
Në njoftimin e saj, Policia thekson se krijimi i një ambienti të qetë dhe të sigurt është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa çdo tejkalim i kufijve të lejuar të zhurmës cenon të drejtën e qytetarëve për pushim dhe qetësi.
Sipas Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, zhurma e panevojshme dhe e padurueshme që dëgjohet nga banorët përreth ose në hapësira publike gjatë orareve të përcaktuara me ligj përbën kundërvajtje dhe sanksionohet me gjobë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan bën të ditur se njësitë policore tashmë kanë shqiptuar gjoba ndaj personave që nuk kanë respektuar dispozitat ligjore, ndërsa kontrollet në terren do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Autoritetet policore ritheksuan se do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme, në përputhje me kompetencat ligjore, për të parandaluar dhe trajtuar rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, duke apeluar për bashkëpunim dhe përgjegjësi qytetare në interes të një jete më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë./rajonipress/


