Policia e Gjilanit nderon policët e rënë në detyrë, viziton familjet e heronjve të Kosovës
Gjilan – Në shënim të Ditës së Policëve të rënë në kryerje të detyrës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan organizoi vizita përkujtimore në familjet e policëve që kanë sakrifikuar jetën në shërbim të rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.
Delegacioni u udhëhoq nga drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, kolonel Agron Rukiqi, i shoqëruar nga stafi drejtues i policisë dhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj. Gjatë vizitave u shprehën respekti dhe mirënjohja institucionale për sakrificën e policëve të rënë, të cilët me përkushtimin e tyre u bënë pjesë e historisë së shtetndërtimit dhe sigurisë së Kosovës.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore u nderua edhe kujtimi i Lazim Rexhepit, policit të parë të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës, si dhe u vizitua familja e policit Jahi Maliqi, në shenjë nderimi për kontributin dhe flijimin e tij në mbrojtje të rendit kushtetues.
Nga Policia e Kosovës u theksua se kujtimi për të gjithë policët – Heronjtë e Kosovës të rënë në detyrë – mbetet obligim moral dhe institucional, ndërsa përkushtimi për të qëndruar pranë familjeve të tyre do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Me këto homazhe dhe vizita përkujtimore, Policia e Kosovës ritheksoi se sakrifica e policëve të rënë mbetet një nga shtyllat mbi të cilat është ndërtuar besimi i qytetarëve në institucionet e sigurisë dhe një vlerë e përhershme e shtetit të Kosovës./rajonipress/




