Gjenden 233 fishekë të mbetur nga lufta në pyllin e Izvorit të Novobërdës
Gjilan – Një sasi e konsiderueshme municioni, që dyshohet se ka mbetur nga lufta e fundit në Kosovë, është gjetur në fshatin Izvor të Novobërdës.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar të premten rreth orës 17:30, pasi një grua, derisa po kulloste bagëtitë në një zonë pyjore, kishte hasur në fishekë të vendosur në shirit.
Njësitet relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë bërë tërheqjen e 233 fishekëve të vjetër, të cilët dyshohet se i përkasin periudhës së luftës së fundit në Kosovë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar përpilimin e një shënimi zyrtar në nivel stacioni, ndërsa municioni është larguar në mënyrë të sigurt nga vendi i ngjarjes./rajonipress/


