Banorët e Goshicës alarmojnë për probleme me energjinë elektrike: Tension i ulët prej 48 orësh, apel urgjent për ndërhyrje
Viti – Banorët e fshatit Goshicë, në komunën e Vitisë, kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar me furnizimin me energji elektrike, duke apeluar për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Sipas banorëve, prej më shumë se 48 orësh, disa familje po përballen me tension shumë të ulët të energjisë elektrike, çka ka bërë të pamundur funksionimin normal të një sërë pajisjesh shtëpiake. Ata bëjnë të ditur se për shkak të këtij problemi nuk funksionojnë hidroforët, frigoriferët, ngrirësit, makinat e larjes së rrobave dhe enëve, si dhe pajisje të tjera të domosdoshme për jetën e përditshme.
Situata është bërë edhe më shqetësuese në kulmin e sezonit veror, kur në Goshicë kanë ardhur një numër i madh mërgimtarësh për pushime. Banorët theksojnë se përveç ndërprerjeve dhe tensionit të ulët, shqetësim paraqet edhe gjendja e amortizuar e infrastrukturës elektrike, duke përmendur një shtyllë të dëmtuar që, sipas tyre, vazhdon të mbetet pa u sanuar.
Ata paralajmërojnë se tensioni i ulët po shkakton dëme materiale dhe po vështirëson jetën e përditshme të familjeve, sidomos në ditët me temperatura të larta.
Përmes këtij apeli publik, banorët kërkojnë nga KEDS-i, Komuna e Vitisë dhe institucionet e tjera përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente për zgjidhjen e problemit, në mënyrë që furnizimi me energji elektrike të rikthehet në normalitet dhe të shmangen dëme të tjera për qytetarët./rajonipress/


