Breshëri godet kulturat bujqësore në Viti, Pira kërkon nga niveli qendror kompensimin e fermerëve të dëmtuar
Viti – Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural e Komunës së Vitisë ka dalë në terren për të parë nga afër pasojat e reshjeve të fundit të breshrit, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore të fermerëve lokalë.
Drejtori i kësaj drejtorie, Naim Pira, së bashku me zyrtarët komunalë dhe anëtarët e Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, kanë vizituar zonat e prekura, ku kanë evidentuar dëmet e shkaktuara nga fenomenet natyrore.
Sipas vlerësimeve fillestare, një nga zonat më të prekura është fshati Skifteraj, ku breshëri ka dëmtuar rëndë kulturat e shalqirit, pjeprit, misrit dhe kultura të tjera bujqësore, duke rrezikuar mundin dhe investimet e fermerëve për tërë sezonin.
Drejtori Naim Pira ka bërë të ditur se Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve do të vazhdojë punën në terren, me qëllim që të përgatitet një pasqyrë sa më reale dhe e plotë e dëmeve të shkaktuara.
Ai ka shprehur shqetësimin për gjendjen e fermerëve, duke theksuar se shumë prej tyre përballen me humbje të mëdha dhe se dëmet e përsëritura ndër vite kanë krijuar një barrë të rëndë për sektorin e bujqësisë.
“Është e papranueshme që fermerët tanë, të cilët kanë pësuar dëme të mëdha vit pas viti, ende të mos jenë kompensuar. Kjo situatë po i rëndon jashtëzakonisht shumë bujqit, të cilët me punën e tyre sigurojnë jetesën e familjeve dhe kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë”, ka deklaruar Pira.
Ai ka theksuar se nuk mund të kërkohet rritje e prodhimit vendor dhe fuqizim i bujqësisë, ndërsa fermerët të mbeten pa përkrahje në momentet kur goditen nga fatkeqësitë natyrore.
Pira i ka bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë që të ndërmarrë hapa konkretë për kompensimin e fermerëve të prekur, duke vlerësuar se mbështetja institucionale është e domosdoshme për ruajtjen e qëndrueshmërisë së prodhimit bujqësor dhe mbijetesën ekonomike të familjeve fermere./rajonipress/


