KPF në Kamenicë shqyrton raportin buxhetor dhe miraton shumicën e pikave të rendit të ditës
Kamenicë – Është mbajtur mbledhja e shtatë e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa të Kuvendit Komunal të Kamenicës, ku anëtarët e këtij komiteti kanë shqyrtuar një sërë çështjesh me rëndësi për funksionimin financiar dhe administrativ të komunës.
Mbledhjen e ka hapur kryesuesja e Kuvendit Komunal të Kamenicës, Arbnore Beqiraj-Fera, e cila ka prezantuar rendin e ditës me shtatë pika për diskutim dhe shqyrtim.
Ndër çështjet kryesore të trajtuara ishte Raporti Financiar Buxhetor i Komunës së Kamenicës për periudhën 1 prill – 30 qershor (TM2), i cili u shqyrtua nga anëtarët e komitetit. Po ashtu, në rend të ditës ishin edhe disa propozim-vendime që lidhen me investimet infrastrukturore, menaxhimin e pronës komunale dhe mbështetjen financiare për organizata lokale.
Komiteti shqyrtoi propozimin për buxhetimin e bashkëfinancimit dhe krijimin e kodit të ri për projektin “Asfaltimi i rrugës ‘Shyt Vaku’ – degëzim”, projekt ky i paraparë të realizohet në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe participimit të znj. Shqiponjë Pira.
Gjithashtu, u diskutua edhe përcaktimi i kompensimit për anëtarët e komisionit komunal të aksionarëve në KRM “Higjiena” dhe NPL “Dardana” SH.A në Kamenicë, si dhe propozimi për lejimin e mjeteve financiare për Kryqin e Kuq të Kosovës – dega në Kamenicë.
Gjatë mbledhjes u trajtua edhe propozimi për inicimin e procedurës së shprehjes së interesit për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, pikë e cila ishte e vetmja që nuk mori miratimin e anëtarëve të komitetit.
Sipas njoftimit nga Komuna e Kamenicës, të gjitha pikat e tjera të rendit të ditës janë aprovuar me shumicë votash nga anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa.
Mbledhja u zhvillua në kuadër të punës së rregullt të organeve komunale, me fokus në shqyrtimin e çështjeve financiare, zhvillimore dhe administrative që lidhen me interesin e qytetarëve të Kamenicës./rajonipress/


