ARKATANA

Të drejtat e punëtorëve shkelen në mënyrë drastike

/ 8 minuta lexim
KKVITI

Punëtorët e sektorit privat në Kosovë po përballen me shkelje të të drejtave të tyre nga punëdhënësit. Orari i stërzgjatur i punës, punësimi pa kontratë pune, pagesa jo e rregullt janë vetëm disa nga shkeljet me të cilat përballen ata.

L.B nga Prishtina, e ka të përfunduar Fakultetin Ekonomik, mirëpo nga pamundësia për të punuar në profesion, ajo kishte gjetur punë në njërin prej marketeve në Prishtinë e që edhe këtë punë u detyrua të lërë, për shkak të kushteve jo të mira. “ Kushtet i kemi pasur shumë të këqija, orarin e punës e kemi pas prej orës 8 deri në orën 17, nuk kemi pasur orë të caktuar të pauzës, vetëm nëse kemi ngrënë bukë, nëse s’kemi ngrënë buke s’kemi pasur pauzë hiç, ka ndodhur një muaj s’kam pasur pushim hiç.

Kemi bartur gjëra të rënda, që nuk i kanë hije një femre, prandaj jam detyruar ta lërë punën”,ka thënë L.B.

E.I. e cila punon si mirëmbajtëse në një hotel, thotë se punon me orar të stërzgjatur, mirëpo ajo ka dy fëmije, që duhet të kujdeset për ta.

“Unë kam dy fëmijë që duhet të kujdesem për ta, prandaj duhet me punu çfarëdo pune që më ofrohet. Punoj edhe jashtë orarit, rrogën nuk e kam ku me dite se sa të madhe, mirëpo nuk kam zgjedhje tjetër, kushtet nuk janë shumë të mira, nuk kam të drejtë me marrë as pushimin që me takon, po pasi ligji nuk funksionin duhet me nejt kështu”, ka thënë E.I

Një tjetër qytetare L.G, e cila është me profesion mjeke, thotë se pushimi veç 6 muaj, edhe pse sipas saj marrin rrogë të plotë, ndikon mjaft që femrat e punësuara të lindin më pak fëmijë. “Kriza ekonomike dhe kostoja e lartë për të rritur fëmijë ndikon shumë, të paktën ky është mendimi edhe i shumë kolegeve të mia, sepse në ditët e sotme secili çift i ri, i cili po ashtu është në periudhën e krijimit të familjes, po është i zhytur në kredi (për shkak të sigurimit të banimit) dhe numër më i madh i fëmijëve do të thotë zhytje në krizë financiare.

Ajo tregon se kur e kishte lindur vajzën pushimi vetëm 6 muaj nuk ka qenë i mjaftueshëm, prandaj është detyruar t’i marrë edhe 3 muaj pushim pa pagesë për t’u kujdesur për vajzën, mandej thekson se është dashur për t’i çuar në çerdhe, që për një fëmijë të vogël është shumë e vështirë. Edhe pse sektori privat konsiderohet si promotor i zhvillimit ekonomik në Kosovë, përfaqësues të punëtorëve thonë se aty shkelen më së shumti të drejtat e punëtorëve, sepse ata heshtin për diskriminimet për shkak të vështirësive për të gjetur punë të tjera.

Alush Sejdiu, zëvendëskryetar i BSPK-së, ka thënë se shkelja e të drejtave të punëtorëve më së shumti bëhet në sektorin privat dhe atë në sektorin e ndërtimtarisë.

“Të drejtat e punëtorëve në Kosovë, realisht shkelen në të gjitha sektorët.Por, sektorët ku ka më se tepërmi ankesa nga ana e punëtorëve për shkeljen e të drejtave të tyre të garantuara me ligj janë në sektorin privat dhe atë; në sektorin e ndërtimtarisë, në sektorin e mirëmbajtjes, të sigurimit dhe të shërbimeve tjera, të cilat janë privatizuar, ndërsa veprimtarinë e ushtrojnë në institucionet e shtetit, sektorin e hotelerisë”, ka thënë Sejdiu.

Hidromorava

Sejdiu ndër të tjera shtoi se punëtorët nuk duhet të hezitojnë që të kërkojnë të drejtat e tyre.

“Është e vërtetë se punëtorët shpesh hezitojnë në kërkimin e të drejtave të tyre, ne mendojmë se ky hezitim nuk ndihmon në zgjedhjen apo përmirësimin e të drejtave të tyre, përkundrazi mendojmë se faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë janë: mosorganizimi i tyre në Sindikata, niveli i lartë i papunësisë, mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë dhe vetëdija e punëtorëve. Për këtë punëtorët duhet të jenë të organizuar në Sindikata, në mënyrë që më lehtë t’i mbrojnë të drejtat e tyre të garantuara me ligj”.

Muharrem Beka, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikëseve të Kosovës, për gazetën “Zëri” ka rrëfyer se si punëtorët lëndohen gjatë orarit të punës dhe nuk iu bëhet as një kompensim material. Ai shtoi se mungesa e pajisjeve të cilat janë të domosdoshme për punë u shkakton probleme të shumta.

“Zjarrfikësve nuk u kompensohen në asnjë rast lëndimet në punë, të gjitha duhet t’i kompensojnë vetë, kemi pasur shumë raste të lëndimit nëpër komuna, lëre që nuk u janë kompensuar, por as moralisht nuk janë interesuar për shëndetin e tyre. Rasti më i freskët është lëndimi i zjarrfikësit në Mitrovicë, ku në intervenim gjatë shuarjes së zjarrit është lënduar rëndë, ku pëson djegie të gjymtyrëve dhe lëndime trupore dhe askush nuk interesohet për shëndetin e tij”.

“Zjarrfikësit kanë mungesë edhe të pajisjeve personale të domosdoshme për punë, si radio-lidhje, maska, bateri, pajisje mbrojtëse si aparate të frymëmarrjes dhe as njëherë këto pajisje nuk janë testuar dhe kontrolluar, sipas deklaratës se prodhuesit, të cilat duhet të ofrojnë mbrojtje dhe siguri në punë, pajisjet të cilat në mungesë të tyre dhe gjatë përdorimit të tyre drejtpërdrejt rrezikojnë shëndetin dhe jetën e zjarrfikëseve”, ka thëne Beka. Ndër të tjera Beka shtoi së zjarrfikësit punojnë 12 orë, që do të thotë gjatë muajit bëjnë nga 180/192 orë varësisht se nga sa ditë punojnë e që me ligj gjatë muajit janë të obliguar që t’i bëjnë nga 160 orë, sipas tij, asnjëherë nuk u janë kompensuar orët shtesë, orët gjatë mobilizimit për punë të jashtëzakonshme nuk u janë kompensuar as për ndërrimet e natës, as për festat shtetërore dhe fetare”, ka thënë Beka

Derisa paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit deri në moshën 35 vjeç, si dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç, Inspektorati i Punës deri në fund të korrikut të këtij viti ka identifikuar 169 raste kur nuk është respektuar vendimi mbi pagën minimale. Me ketë janë identifikuar raste ku paga ka qenë më pak se 130 euro.

Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Punës, për gazetën “Zëri” ka thënë së sektori ku me së shumti janë identifikuar shkelje nga Inspektorati i Punës është sektori privat, konkretisht sektori i ndërtimtarisë

“Inspektorati i Punës aktivitetin e vet në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve për të cilat është i mandatur, e ushtron ex officio gjithmonë dhe në çdo kohe.Mirëpo, IP-ja i përgjigjet çdo ankese të palëve që konsiderojnë që i janë shkelur të drejtat ligjore dhe në afatin e caktuar ligjor u jep përgjigje me shkrim. Inspektorati i Punës deri në fund të korrikut të këtij viti ka evidentuar 169 raste kur nuk është respektuar vendimi mbi pagën minimale dhe natyrisht që aty ku evidenton që është shkelur ky vendim IP-ja zhvillon procedurën sipas legjislacionit në fuqi”,ka thënë Ibrahimi

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015 Inspektorati i Punës ka evidentuar 1289 punëtorë që kanë punuar pa kontratë pune dhe ka shqiptuar gjithsej 132 gjoba. Po ashtu me ketë rast ka legalizuar edhe 1240 punëtorë që kanë punuar në mënyre informate, si dhe ka shqiptuar 70 gjoba subjekteve, ku janë identifikuar punëtorë pa kontratë pune. Ligji i Punës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në muajin nëntor të vitit 2010, ndërsa zbatimi i tij ka filluar që nga 1 janari i vitit 2011. /Zëri/