Policia e Gjilanit intensifikon kontrollet në kuadër të planit operativ “Vera 2026”
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka intensifikuar aktivitetet operative dhe parandaluese në të gjithë zonën e përgjegjësisë, në kuadër të Planit Operativ “Vera 2026”, me qëllim të rritjes së sigurisë publike gjatë sezonit veror.
Përmes stacioneve policore dhe njësive të specializuara rajonale, policia ka shtuar prezencën dhe patrullimet në terren, duke vënë theks të veçantë në mbikëqyrjen dhe kontrollin e trafikut rrugor, parandalimin e aksidenteve si dhe ndërmarrjen e masave ndaj shkelësve të ligjit.
Një nga prioritetet kryesore të këtij plani mbetet luftimi i dukurive kriminale që lidhen me narkotikët. Për këtë qëllim, policia është duke zhvilluar veprime operative dhe hetimore për identifikimin e personave të dyshuar dhe lokacioneve ku dyshohet për aktivitete të paligjshme.
Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan theksojnë se do të vazhdojnë me prezencën e shtuar në terren, masat parandaluese dhe bashkëpunimin me qytetarët dhe institucionet përkatëse, me synimin për të garantuar një ambient sa më të sigurt gjatë muajve të verës.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë me zyrtarët policorë, duke kontribuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike./rajonipress/


