Banorët e Zhegrës: “Sërish na mori uji”, kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Komuna e Gjilanit
Gjilan – Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë rikthyer problemet me vërshimet në Zhegër, ku banorët thonë se përmbytjet po përsëriten vazhdimisht, ndërsa zgjidhja e premtuar nga institucionet komunale ende mungon.
Përmes një reagimi publik, qytetari Fatgezim Ajvazi ka shprehur pakënaqësinë e banorëve, duke theksuar se, pavarësisht premtimeve të shumta të Komunës së Gjilanit, problemi mbetet i pazgjidhur.
“Sërish na mori uji! Pas shumë e shumë premtimeve komunale, prapë asgjë. Lusim sërish Komunën të ndërmarrë diçka, përndryshe e tërë lagjja do të jetë para dyerve të Komunës deri në evitimin e problemit. Populli i Komunës – Komuna në shërbim të popullit”, ka shkruar Ajvazi.
Banorët e Zhegrës thonë se sa herë që ka reshje intensive, rrugët dhe oborret përmbyten, duke rrezikuar pronat dhe duke vështirësuar lëvizjen e përditshme. Ata kërkojnë nga Komuna e Gjilanit që të ndërmarrë masa konkrete për sanimin e sistemit të kanalizimit dhe kullimit të ujërave atmosferike, në mënyrë që ky problem i kahershëm të marrë një zgjidhje të qëndrueshme.
Sipas banorëve, durimi i tyre po shkon drejt fundit dhe, nëse nuk do të ketë reagim institucional në një afat të arsyeshëm, ata paralajmërojnë protesta para Komunës së Gjilanit, duke kërkuar që premtimet të zëvendësohen me investime konkrete dhe veprime në terren./rajonipress/


