Komuna e Vitisë funksionalizon Komisionin për Vlerësimin e Dëmeve, u bën thirrje qytetarëve të raportojnë pasojat e stuhisë
Viti – Pas stuhisë së fuqishme që përfshiu territorin e Komunës së Vitisë dhe shkaktoi dëme në prona private, objekte, ekonomi familjare dhe sipërfaqe bujqësore, autoritetet komunale kanë ndërmarrë hapat e parë institucionalë për evidentimin e pasojave dhe vlerësimin e dëmeve.
Komuna e Vitisë ka njoftuar se, me vendim të kryetarit të komunës, është funksionalizuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore, i cili do të dalë në terren për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet e shkaktuara nga moti i ligë, në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet institucionale.
Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve, ekonomive familjare, bizneseve dhe subjekteve të tjera që kanë pësuar dëme në shtëpi, objekte përcjellëse, prodhime bujqësore apo prona të tjera, që t’i raportojnë sa më shpejt rastet e tyre, në mënyrë që komisioni të mund të kryejë verifikimin dhe vlerësimin në terren.
Për paraqitjen e dëmeve dhe marrjen e informatave shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë anëtarët e Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve në këta numra të telefonit:
Mustafë Islami – 044 616 098
Xhelal Musa – 045 805 511
Avni Misini – 044 249 910
Komuna e Vitisë ka theksuar se mbetet e përkushtuar që procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve të zhvillohet me profesionalizëm, transparencë dhe efikasitet maksimal, duke krijuar bazën për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë institucionalë në funksion të mbështetjes së qytetarëve të prekur nga fatkeqësia natyrore./rajonipress/


