Haliti në terren pas stuhisë: Kërkon mbështetje nga Qeveria për familjet e prekura
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka vizituar sot zonat e prekura nga stuhia e fuqishme që shkaktoi dëme në disa vendbanime të komunës, veçanërisht në Pozheran, Skifteraj dhe Sllatinë, ku janë dëmtuar kulmet e shtëpive, objekte shkollore dhe prona të qytetarëve. Si pasojë e motit të ligë janë raportuar edhe raste të lëndimeve fizike.
I shoqëruar nga drejtoritë komunale, Shërbimet Publike, Njësia e Emergjencave, zjarrfikësit dhe institucionet tjera përgjegjëse, Haliti u njoh nga afër me gjendjen dhe koordinoi veprimet për tejkalimin e situatës.
Ai bëri të ditur se, pas përfundimit të vlerësimit të dëmeve, Komuna e Vitisë do t’i drejtohet Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë për mbështetje financiare për familjet e prekura.
Haliti theksoi se fatkeqësitë natyrore kërkojnë mbështetje nga të gjitha nivelet institucionale dhe kërkoi që ministritë përkatëse të vizitojnë komunat e prekura për të parë nga afër gjendjen reale dhe nevojat e qytetarëve.
Komuna e Vitisë njofton se ekipet profesionale po vazhdojnë evidentimin e dëmeve, ndërsa qytetarët ftohen të raportojnë çdo rast në mënyrë që procesi i vlerësimit dhe mbështetjes të realizohet sa më shpejt./rajonipress/


