Prokuroria e Gjilanit ngre shtatë aktakuza ndaj tetë personave për vepra të ndryshme penale
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka intensifikuar aktivitetin e saj në ndjekjen e rasteve penale, duke ngritur gjatë 24 orëve të fundit shtatë aktakuza ndaj tetë personave të dyshuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, aktakuzat përfshijnë një spektër të gjerë veprash penale, që lidhen me cenimin e sigurisë publike, pronës, rendit dhe ligjit.
Në mesin e aktakuzave të ngritura është një aktakuzë kundër dy personave për veprat penale “Kanosje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”. Po ashtu, nga një aktakuzë është ngritur ndaj një personi për veprat penale “Vjedhje e shërbimeve”, “Vjedhje”, “Rrezikimi i trafikut publik”, “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e saj ligjore me përkushtim, në funksion të luftimit të kriminalitetit dhe garantimit të sundimit të ligjit, duke trajtuar me prioritet rastet që cenojnë sigurinë dhe rendin publik./rajonipress/


