ARKATANA

Murati: Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Profesori universitar i shkencave politike, Valon Murati, ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve të fundit nuk ka sjellë zgjidhje për ngërçin politik në Kosovë, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të reja parlamentare.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Murati tha se zhvillimet paszgjedhore dhe takimet ndërmjet partive politike nuk kanë prodhuar optimizëm për krijimin e institucioneve të reja.

“Rezultati i zgjedhjeve më ka bërë që të vazhdoj të jem skeptik për mundësinë e një zgjidhjeje, pra të ngërçit të cilin e kemi kaluar. Dhe po ashtu, bisedimet në njëfarë forme më shtuan këtë, ta them, pesimizëm për shkak të faktit se si u zhvilluan dhe çfarë prodhuan ato. Ishte e natyrshme që takimi mes Partisë Demokratike të Kosovës të përfundojë ashtu siç përfundoi, me një mundësi për të diskutuar për presidentin dhe jo për qeverinë. Kjo është krejtësisht e natyrshme sepse nuk ka kuptim që të ketë një koalicion qeveritar në këtë fazë mes zotit Kurti dhe PDK-së, ajo është ndërtuar si figurë politike mbi dikotominë kundër PDK-së dhe asaj fryme”, tha ai.

Sipas Muratit, as takimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, dhe tani situata në të cilën ndodhet LDK-ja, nuk ka shpresa për një marrëveshje eventuale politike.

“Në anën tjetër, edhe takimi me LDK-në nuk ishte shumë shpresëdhënës, sepse vetë situata në të cilën ndodhet Lidhja Demokratike e Kosovës nuk jep shumë shpresë që aty ka një unitet dhe kohezion që të vazhdohet me ndonjë koalicion. Pra, edhe po të ketë kohezion, edhe po të ketë unitet, numrat janë shumë të brishtë, ta them ashtu, e për më tepër zoti Kurti prapë i vë kushtet e veta mbi 84-85 deputetë, të cilat pastaj me Lidhjen Demokratike të Kosovës asesi nuk i zhvilluan. Dhe e kishim situatën me Aleancën, e cila i kishte kushtet e veta dhe nuk shkoi në takim duke thënë që ‘ne vijmë në seancë nëse ato plotësohen’”, tha ai.

Fundamenti

Murati tha se zgjidhja e vetme do të ishte një marrëveshje për një kandidat për president që do të ishte i pranueshëm për të gjitha palët.

“Kjo është një situatë e cila nuk jep, për mendimin tim, shumë shpresë se do të kemi një dalje nga ky ngërç. Daljen e shoh në një mënyrë të thjeshtë: nëse thjesht partitë opozitare pranojnë një kandidat që mund të jetë nga Vetëvendosja, apo një kandidat që do të jetë jo një kandidat i fortë politik. Për aq sa e njoh mendësinë politike të zotit Kurti, atë që e tregoi tash edhe ndaj presidentes Osmani, nuk është se ai do të pranojë ndonjë figurë të fuqishme, qoftë politike apo qoftë nga bota akademike dhe nga shoqëria civile, i cili mund t’i mbushë, ta them, ‘këpucët’ e presidentit. Të cilat realisht në sistemin tonë politik, juridik e kushtetues, nuk janë të lehta. Presidenti, ashtu siç po tregon edhe krejt ky ngërç politik, ka kompetenca. Është një balancues i pushteteve, por që ka kompetenca në disa fusha, sidomos në fushën e politikës së jashtme – ku mund ta hijezojë zotin Kurti, aty ku ky dëshiron të shkëlqejë – dhe po ashtu në fushën e sigurisë, e pamë edhe tash me emërimet në AKI, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Pra, janë dy fusha në të cilat presidenti ka forcë reale. Natyrisht që ka dhe të tjera, e pastaj varet edhe prej personazhit dhe prej personalitetit politik”, tha ai.

Profesori i shkencave politike ngriti edhe mundësinë e një situate të paprovuar më parë në Kosovë, ku do të zgjidhej qeveria pa u zgjedhur paraprakisht presidenti.

“Kështu që, duke pasur parasysh këtë situatë, nuk jam shumë optimist që në këtë kontekst mund të vijmë te një situatë ku do të kemi një zgjidhje të kënaqshme për të gjithë. Kurti është në një pozicion komod, është kryeministër në detyrë, këtë situatë ai mund ta vazhdojë. Mund të futemi në një terren tjetër të pashkelur deri tash, ku partia në krye me Kurtin mund të vazhdojë të procedojë me zgjedhjen e kryeministrit pa zgjedhjen e presidentit, që jemi në një situatë të pashkelur, ku tash kryetarja e re e Kuvendit bëhet e para ushtruese e detyrës së presidentit, një situatë që nuk kemi qenë më herët. Edhe kjo mund të na fusë në një tjetër ngërç juridik-kushtetues, sepse partitë opozitare mund ta dërgojnë lëndën në Kushtetuese, se a do të duhej të zgjidhej së pari presidenti apo jo. Në këtë kontekst është vështirë të parashikohet, nuk jam optimisti më i madh se do të kemi ndonjë zgjidhje, mund të ketë gjasa se mund të shkojmë prapë në zgjedhje. Në anën tjetër, kjo situatë neve po na kushton, sepse këtë duhet ta themi. Po na kushton në planin financiar, të integrimeve, të zhvillimeve, të politikave. Ne nuk po e shohim që jemi duke jetuar në status quo dhe duke jetuar në status quo ne po shkojmë mbrapa. Shqipëria i mbylli tre kapituj dhe ne tash, në vend se të futemi në lokomotivën e Shqipërisë, po mbesim fatkeqësisht me Serbinë, e cila po e shohim çfarë ministrash pati në këtë deklaratën fashiste të fundit. Pra, edhe në këtë procesin e integrimeve jemi mbrapa, e kjo po them, do të na kushtojë shumë edhe në jetën e përditshme”, tha ai për Ekonomia Online.