United Hospital

Parku Industrial prej 150 hektarësh, Haki Huruglica: Gjilani po ndërton bazën e zhvillimit të ri ekonomik

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Projekti i Parkut Industrial, i konsideruar si një nga investimet më të rëndësishme strategjike për zhvillimin ekonomik të Gjilanit, ka qenë në qendër të konsultimit publik të zhvilluar ndërmjet institucioneve qendrore, atyre lokale dhe komunitetit të biznesit.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit, Haki Huruglica, i cili theksoi se projekti do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në fuqizimin e ekonomisë lokale dhe në krijimin e kushteve të favorshme për investime të reja.

Në konsultimin publik morën pjesë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, si dhe përfaqësues të bizneseve dhe ndërmarrësve të komunës.

Sipas Huruglicës, Parku Industrial është planifikuar të shtrihet në një sipërfaqe prej 150 hektarësh, duke u renditur ndër zonat më të mëdha industriale në Kosovë. Ai pritet të shndërrohet në një qendër të rëndësishme për zhvillimin e prodhimit, tërheqjen e investimeve vendore e të huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

FIDANISHTJA

“Ky projekt do të krijojë kushte shumë më të mira për bizneset ekzistuese, do të nxisë investime të reja dhe do ta pozicionojë Gjilanin si një nga qendrat kryesore të zhvillimit ekonomik në Kosovë”, ka theksuar Huruglica.

Ai vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat është themelor për realizimin me sukses të këtij projekti, duke shtuar se mbështetja e Ministrisë, angazhimi i kryetarit Alban Hyseni dhe përfshirja aktive e komunitetit të biznesit krijojnë bazën për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Parku Industrial shihet si një projekt me rëndësi strategjike, i cili pritet të rrisë konkurrueshmërinë e ekonomisë lokale, të forcojë sektorin prodhues dhe të hapë perspektiva të reja për punësim dhe zhvillim, duke e bërë Gjilanin një destinacion më tërheqës për investitorët dhe sipërmarrësit./rajonipress/