Fundamenti

Ahmet Ibrahimi – mjeshtri i peizazhit shqiptar dhe profesori që e ktheu dashurinë për Kosovën në art të përjetshëm

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në mozaikun e artit figurativ shqiptar, emri i prof. Ahmet Ibrahimit zë një vend të veçantë si një prej piktorëve më produktivë dhe më të vlerësuar të Kosovës. I lindur në fshatin Hogosht të komunës së Kamenicës (Dardanës), ai e ndërtoi rrugëtimin e tij artistik mbi dashurinë për vendlindjen, natyrën shqiptare dhe historinë e popullit të tij, duke krijuar një opus që sot numëron rreth një mijë piktura, 17 ekspozita personale dhe mbi 50 ekspozita kolektive.

Shkollimin fillor e përfundoi në Hogosht, arsimin e mesëm në Kamenicë, ndërsa studimet universitare dhe pasuniversitare në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku u formësua si artist dhe pedagog. Më vonë, ai u bë pjesë e stafit akademik që nga themelimi i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ku vazhdon të japë kontribut në edukimin e brezave të rinj në lëndën e Arteve Vizuale.

Për Ahmet Ibrahimin, piktura nuk është vetëm teknikë dhe kompozim. Ajo është mënyrë jetese, filozofi dhe dëshmi e identitetit kombëtar. Frymëzimin e gjen në peizazhet madhështore të Kosovës, në malet, lumenjtë, dritën dhe hijet e natyrës, por edhe në historinë dramatike të vendit. Veprat e tij nuk kufizohen vetëm në riprodhimin estetik të natyrës; ato bartin një ngarkesë të fuqishme emocionale dhe shpirtërore, ku ndërthuren kujtesa historike, sakrifica, heroizmi dhe dashuria për atdheun.

Në rrëfimet e tij artistike, profesori Ibrahimi thekson se artisti, para se të kapë ngjyrën, duhet të kapë dritën, formën dhe shpirtin e objektit. Sipas tij, piktori duhet të kërkojë gjithmonë “dritën e fshehur”, sepse vetëm përmes saj vepra fiton jetë dhe komunikon me publikun. Kjo filozofi është reflektuar në qindra punimet e tij, ku harmonizimi i ngjyrave, kontrasti i fortë dhe ndjeshmëria estetike krijojnë një gjuhë të veçantë artistike.

Kritikët e artit e kanë vlerësuar krijimtarinë e Ahmet Ibrahimit si një ndërthurje të realizmit me dimensionin epik shqiptar. Studiuesi Rrustem Geci e konsideron atë një piktor që nuk e sheh natyrën vetëm si peizazh, por si një univers emocional ku drita dhe hija bashkëjetojnë për të ndërtuar mesazhin artistik. Në këtë mënyrë, pikturat e tij shndërrohen në reflektime filozofike mbi jetën, historinë dhe identitetin.

Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij zënë edhe temat historike dhe kombëtare. Lufta Çlirimtare e Kosovës, figura e komandantit Adem Jashari, masakrat ndaj shqiptarëve, plagët e luftës dhe sakrifica për liri janë trajtuar në një sërë ciklesh pikturale që kanë marrë vlerësime nga publiku dhe kritika. Vepra si “Golgota”, “Masakra e Gjilanit 1944”, “Adem Jashari”, “Dritë e Kosovës”, “Malet me Pushkë”, “Një Pikë Gjak për Lirinë”, “Portret Lirisë”, “Pasha këtë Tokë” dhe cikli “Thyerja e Madhe” janë vetëm disa prej punimeve që pasqyrojnë dimensionin historik dhe patriotik të artit të tij.

Uji Dea

Një tjetër shtyllë e krijimtarisë së Ahmet Ibrahimit mbetet peizazhi shqiptar. Në telajot e tij natyra nuk është vetëm sfond dekorativ, por personazh i gjallë që flet për identitetin, kujtesën dhe shpirtin e vendit. Malet, fushat, pyjet dhe drita karakteristike e Kosovës shfaqen me një ndjeshmëri të veçantë, duke krijuar një poezi të ngjyrave që e dallon stilin e tij nga shumë autorë të tjerë.

Krahas krijimtarisë artistike, Ahmet Ibrahimi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në edukimin universitar. Si profesor në Universitetin “Kadri Zeka”, ai ka edukuar dhe frymëzuar dhjetëra studentë të artit, duke përcjellë jo vetëm njohuri profesionale, por edhe filozofinë se arti është përgjegjësi qytetare dhe mision kulturor.

Puna e tij është shpërblyer me një sërë çmimesh dhe mirënjohjesh, ndër to çmimet për pikturë në manifestimin “Flaka e Janarit” në vitet 1997, 2003 dhe 2013, si dhe çmimi në “Sallonin e Gjilanit” në vitin 2012. Këto vlerësime janë dëshmi e kontributit të tij të vazhdueshëm në zhvillimin e artit pamor në Kosovë.

Ekspozitat e tij janë organizuar në galeri dhe institucione kulturore në Gjilan, Kamenicë, Prishtinë dhe qytete të tjera, ndërsa një nga prezantimet më të rëndësishme ishte ekspozita në Universitetin “Kadri Zeka”, ku prezantoi 32 piktura dhe tri vizatime në kuadër të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Sot, prof. Ahmet Ibrahimi mbetet një prej figurave më të rëndësishme të artit figurativ kosovar. Ai është një artist që e ka shndërruar natyrën, historinë dhe shpirtin shqiptar në një galeri të pafund ngjyrash, duke dëshmuar se piktura nuk është vetëm estetikë, por edhe kujtesë, identitet dhe rrëfim i përhershëm për Kosovën./rajonipress/