Eko Higjiena

Policia e Gjilanit nis fushatën “Bashkësi e Sigurt pa Zjarre”, apel për parandalimin e zjarreve gjatë verës

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka nisur zbatimin e projektit “Bashkësi e Sigurt pa Zjarre”, një fushatë sensibilizuese që synon parandalimin e zjarreve dhe rritjen e vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit gjatë sezonit veror.

Fushata po realizohet përmes njësive policore sektoriale, në bashkëpunim me Komitetet Lokale për Siguri Publike, njësitë komunale të zjarrfikësve dhe partnerët lokalë, duke u fokusuar kryesisht në zonat rurale të rajonit të Gjilanit, të cilat konsiderohen më të ekspozuara ndaj rrezikut të zjarreve.

Në kuadër të aktiviteteve, zyrtarët policorë dhe përfaqësuesit komunalë kanë zhvilluar takime informuese me qytetarë, fermerë dhe banorë të këtyre zonave, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për masat parandaluese dhe pasojat që shkaktojnë zjarret në ambiente të hapura.

Mobi Casa

Gjithashtu, janë shpërndarë postera informues që përmbajnë mesazhe sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit, dëmet që shkaktojnë zjarret dhe sanksionet ligjore ndaj personave që i shkaktojnë ato në kundërshtim me ligjin.

Sipas Policisë së Kosovës, projekti tashmë ka filluar të zbatohet në të gjitha stacionet policore nën juridiksionin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan dhe do të vazhdojë gjatë gjithë sezonit veror.

Policia ka rikujtuar se nuk do të tolerojë asnjë veprim që rrezikon jetën e qytetarëve, pronën dhe mjedisin përmes shkaktimit të zjarreve, duke paralajmëruar se ndaj çdo personi që vepron në kundërshtim me ligjin do të ndërmerren masat e parapara nga legjislacioni në fuqi./rajonipress/