Shaip Kamberi: Vizita e Presidentit Bajram Begaj dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka cilësuar vizitën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në Luginën e Preshevës si një moment me rëndësi të veçantë për shqiptarët e kësaj treve.
Përmes një reagimi publik, Kamberi theksoi se vizita përfaqëson një shprehje të qartë të përkushtimit institucional të Shqipërisë ndaj bashkëkombësve në Luginën e Preshevës, duke e konsideruar atë një mbështetje për ruajtjen e identitetit kombëtar, mbrojtjen e të drejtave dhe nxitjen e zhvillimit të komunitetit shqiptar.
Ai vlerësoi se Lugina e Preshevës po zë gjithnjë e më shumë vend në vëmendjen e institucioneve të Republikës së Shqipërisë, duke e konsideruar këtë një sinjal pozitiv për forcimin e lidhjeve me shqiptarët që jetojnë në këtë rajon.
Në reagimin e tij, Kamberi shprehu mirënjohje për ambasadorin Bardhyl Canaj, duke vlerësuar angazhimin e tij të vazhdueshëm, si dhe falënderoi institucionet e Republikës së Shqipërisë për vëmendjen e shtuar ndaj çështjeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Faleminderit për vizitën, z. President!”, përfundon mesazhi i deputetit Shaip Kamberi./rajonipress/


