Myftiu Tërnava inspekton objektin e ri të vakëfit në Gjilan, vlerëson investimin si të rëndësishëm për komunitetin
Gjilan – Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka vizituar sot objektin e ri të vakëfit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, i cili ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit dhe pritet të vihet së shpejti në funksion.
I shoqëruar nga kryeimami Vedat ef. Sahiti, kryetari i Këshillit të BI-së së Gjilanit, Naim ef. Aliu, si dhe administrata e këtij institucioni, Myftiu Tërnava u njoh nga afër me ecurinë e punimeve në objektin që është ndërtuar falë një donacioni të shtetit të Katarit.
Sipas Bashkësisë Islame, objekti i ri do të shërbejë për nevojat fetare, arsimore dhe administrative të Këshillit të BI-së në Gjilan, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve dhe shërbimeve në funksion të besimtarëve.
Gjatë vizitës, Myftiu Tërnava shprehu kënaqësinë për cilësinë e punimeve dhe e cilësoi projektin si një investim me rëndësi të veçantë për jetën institucionale dhe fetare të rajonit. Ai uroi që punimet të përfundojnë me sukses dhe objekti të funksionalizohet sa më shpejt në shërbim të komunitetit.
Në kuadër të qëndrimit në Gjilan, Myftiu Tërnava vizitoi edhe punimet që po zhvillohen për ndërtimin e xhamisë së re në lagjen e Spitalit, duke u informuar për ecurinë e këtij projekti me rëndësi për besimtarët e kësaj zone./rajonipress/



