Eko Higjiena

Hyseni hap fushatën e korrje-shirjeve në Gjilan: Mbështetje e vazhdueshme për bujqit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në Komunën e Gjilanit ka nisur zyrtarisht fushata e korrje-shirjeve për sezonin 2026, duke shënuar një nga periudhat më të rëndësishme për sektorin e bujqësisë dhe prodhimin vendor. Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Bujqësisë, Driton Sylejmani, vizituan fushat bujqësore në fshatin Zhegër, ku u njohën nga afër me punën dhe angazhimin e fermerëve.

Gjatë vizitës, Hyseni u takua me bujkun Alfons, me të cilin bisedoi për zhvillimin e punimeve në rreth 75 hektarë të mbjellë me grurë dhe misër, duke vlerësuar përkushtimin e fermerëve në sigurimin e prodhimit vendor dhe të bukës së familjeve gjilanase.

“Jemi aty ku sigurohet buka jonë. Kaluam një ditë të shkëlqyer në terren me bujqit tanë punëtorë, të cilët me mund dhe përkushtim mbajnë gjallë bujqësinë dhe ekonominë lokale”, u shpreh Hyseni.

FIDANISHTJA

Ai theksoi se sfidat me të cilat përballen fermerët janë edhe sfida të institucioneve lokale, duke ritheksuar përkushtimin e Komunës për të qenë pranë tyre me politika mbështetëse, subvencione dhe lehtësime që synojnë rritjen e prodhimit bujqësor.

“Do të jemi gjithmonë pranë tyre me subvencione dhe mbështetje konkrete në çdo hap. Uroj që kjo fushatë të sjellë korrje të mbara dhe bereqet të bollshëm për çdo familje bujqësore”, deklaroi kryetari i Gjilanit.

Nisja e fushatës së korrje-shirjeve konsiderohet një moment i rëndësishëm për bujqësinë në Gjilan, ndërsa institucionet komunale kanë ritheksuar angazhimin për të vazhduar investimet dhe mbështetjen ndaj fermerëve, me synimin për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori jetik për ekonominë lokale./rajonipress/