Hyseni zgjat orarin e muzikës për gastronominë, qytetarët reagojnë ashpër: “Po legalizohet zhurma në qytet”
Gjilan – Vendimi i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për zgjatjen e orarit të përdorimit të mjeteve elektroakustike nga bizneset e gastronomisë ka nxitur reagime të shumta dhe kritika nga qytetarët, të cilët shprehin shqetësimin se masa do të rrisë ndotjen akustike dhe do të cenojë qetësinë publike, sidomos në zonat e banuara.
Sipas vendimit të nënshkruar nga Hyseni, bizneseve të sektorit të gastronomisë u lejohet përdorimi i mjeteve elektroakustike, në përputhje me standardet ligjore dhe normat e lejuara, deri në orën 23:00 gjatë ditëve të punës, ndërsa të premteve dhe të shtunave deri në orën 24:00.
Vendimi do të jetë në fuqi deri më 20 gusht 2026, periudhë gjatë së cilës pezullohet përkohësisht edhe urdhëresa nr. 312/22, e datës 21 prill 2022, që kishte të bënte me mbrojtjen nga zhurma.
Megjithatë, ky vendim nuk është pritur mirë nga një pjesë e qytetarëve gjilanas, të cilët vlerësojnë se zhurma nga lokalet është tashmë një problem serioz dhe se zgjatja e orarit mund të rëndojë edhe më tej jetën e banorëve që jetojnë pranë zonave urbane.
Qytetari Nysret thotë se muzika duhet të ketë kufij dhe se vendimi rrezikon të keqpërdoret nga pronarë të papërgjegjshëm.
“Muzika e lartë e ka një kufi, por tek ne ky vendim do të keqpërdoret në maksimum nga pronarë e individë të pandërgjegjshëm”, është shprehur ai.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe qytetari Muharrem, i cili e konsideron vendimin si të dëmshëm për rendin publik.
“Ky vendim tregon papjekuri të qeverisjes lokale, e cila po dëshmon se nuk është e interesuar për rend dhe rregull, por për kaos dhe torturë ndaj qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Sipas Komunës së Gjilanit, zbatimi i këtij vendimi do të monitorohet nga Drejtoria e Inspeksionit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim që përdorimi i mjeteve elektroakustike të mbetet brenda kufijve të lejuar ligjorë.
Megjithatë, reagimet e para të qytetarëve tregojnë se vendimi ka hapur një debat të ri mbi balancën mes mbështetjes së sektorit të gastronomisë gjatë sezonit veror dhe të drejtës së banorëve për qetësi, pushim dhe një mjedis pa ndotje akustike./rajonipress/

