Fundamenti

Komuna e Kllokotit do të instalojë sistem për paralajmërimin e hershëm të vërshimeve me mbështetje të Bashkimit Evropian

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Kllokot – Komuna e Kllokotit do të vendosë një sistem të paralajmërimit të hershëm për vërshimet, në kuadër të projektit ndërkufitar “Parandalimi i vërshimeve nëpërmjet aktivizimit qytetar në rajonet ndër-kufitare”, i financuar nga fondet e Bashkimit Evropian.

Për këtë qëllim, nënkryetari i Komunës së Kllokotit, Refik Halili, ka zhvilluar një takim pune me përfaqësuesin e angazhuar në projekt, Besim Zeqiri, ku u diskutuan hapat për zbatimin e projektit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Komuna e Kllokotit është institucioni udhëheqës i këtij projekti investiv, i cili është përzgjedhur për financim përmes një procesi konkurrues. Partnerë në realizimin e tij janë organizata Business Support Center Kosova (BSCK), si dhe dy institucione nga Republika e Maqedonisë së Veriut – Komuna e Rankovcës dhe organizata Initiative for European Perspective (IEP).

Hidromorava

Gjatë takimit janë nënshkruar marrëveshjet e bashkëpunimit me partnerët e projektit, ndërsa autoritetet komunale kanë bërë të ditur se së shpejti do të nisë zbatimi i planit të veprimit, i cili synon ngritjen e kapaciteteve për parandalimin e vërshimeve dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve përmes një sistemi modern të paralajmërimit të hershëm.

Nga Komuna e Kllokotit është theksuar se qytetarët do të informohen rregullisht për ecurinë dhe aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të këtij projekti me rëndësi për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore./rajonipress/