Kapet në Viti duke transportuar dru pa dokumentacion, sekuestrohet automjeti me ngarkesën
Viti – Policia e Kosovës ka ndaluar një person në fshatin Shushtë të Vitisë, nën dyshimin për transport ilegal të druve.
Sipas njoftimit policor, gjatë një kontrolli rutinë, patrulla ndaloi një automjet me targa vendore, ku pas verifikimit të dokumentacionit dhe kontrollit të ngarkesës u konstatua se drejtuesi i automjetit po transportonte rreth një metër dru zjarri të llojit bung, të cilat nuk ishin të damkosura dhe nuk shoqëroheshin me dokumentacionin e nevojshëm për transport.
I dyshuari, së bashku me automjetin, është shoqëruar në Ekonominë e Pyjeve në Viti për procedurat e mëtejshme.
Me urdhër të prokurorit, personi është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa automjeti dhe ngarkesa me dru janë ndaluar për zhvillimin e procedurave ligjore./rajonipress/


