“Pushimet luksoze me shërbim mesatar” – Çmimet në bregdetin shqiptar alarmojnë pushuesit nga Kosova
Gjilan – Sezoni turistik veror në Shqipëri po shoqërohet me kritika të shumta nga pushuesit, veçanërisht ata nga Kosova, të cilët vlerësojnë se çmimet në bregdet kanë arritur nivele të papërballueshme dhe nuk përputhen me cilësinë e shërbimeve që ofrohen.
Në zonat turistike si Shëngjini, Rana e Hedhun dhe Velipoja, shumë qytetarë raportojnë rritje të ndjeshme të kostos së akomodimit, ushqimit dhe shërbimeve të plazhit. Sipas tyre, në disa plazhe çmimi i një seti me shezllone arrin deri në 40 euro në ditë, ndërsa kushtet e higjienës, mirëmbajtja e plazheve dhe niveli i shërbimit mbeten larg pritshmërive.
Pakënaqësi të veçantë ka ngjallur situata në Velipojë, ku sipas pushuesve, rritja e kërkesës nga turistët që nuk kanë mundur të përballojnë çmimet e larta në Shëngjin është shoqëruar me tarifa edhe më të larta për akomodim dhe shërbime.
Një qytetar nga Gjilani, Muameri (54), thotë se çmimet në Velipojë janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar.
“Është vërtet zhgënjyese kjo qasje, sepse Velipoja ende nuk ka infrastrukturën dhe standardin e nevojshëm për të justifikuar çmime kaq të larta”, u shpreh ai.
Edhe Murati (43) shprehu pakënaqësinë e tij për koston e pushimeve në Ranën e Hedhun dhe Shëngjin.
“Çmimet janë bërë të papërballueshme. Ky është një zhgënjim i madh dhe, nëse situata vazhdon kështu, vitin e ardhshëm do të zgjedh Turqinë për pushime”, tha ai.
Edhe në jug të Shqipërisë, në destinacione si Himara dhe Saranda, çmimet e hoteleve gjatë muajve korrik dhe gusht variojnë zakonisht nga 80 deri në 150 euro për një dhomë dyshe në hotele me tre ose katër yje. Ndërkohë, paketat “all inclusive” në Durrës dhe Shëngjin mund të kushtojnë nga 1,000 deri në 2,000 euro për një javë, shifra që sipas shumë pushuesve nuk justifikohen nga niveli i shërbimeve të ofruara.
Qytetarë nga Kosova thonë se, përballë këtyre çmimeve, destinacionet turistike në vendet fqinje apo në rajon po bëhen gjithnjë e më konkurruese, pasi ofrojnë standard më të lartë të akomodimit, plazhe më të mirëmbajtura dhe shërbim më cilësor me kosto të ngjashme ose edhe më të ulët.
Ekspertët e turizmit kanë paralajmëruar vazhdimisht se rritja e çmimeve pa një përmirësim të dukshëm të infrastrukturës dhe cilësisë së shërbimit mund të dëmtojë konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar në afatgjatë. Ndërkohë, pushuesit kërkojnë më shumë kontroll institucional ndaj tarifave, investime në pastërtinë e plazheve dhe rritje të standardeve të shërbimit, në mënyrë që çmimet të reflektojnë realisht cilësinë e ofertës turistike.
“Realisht, për shumë familje kosovare, pushimet në Turqi po rezultojnë më ekonomike sesa në bregdetin shqiptar. Me çmime që në Shqipëri arrijnë deri në 2,000 euro për një javë, shumë qytetarë po zgjedhin paketat ‘all inclusive’ në Turqi, ku për një kosto të ngjashme ose edhe më të ulët përfitojnë akomodim më cilësor, ushqim, pije, plazh privat dhe shërbime që konsiderohen më afër standardeve ndërkombëtare.”/rajonipress/


