Fundamenti

Shtatë vjet pa Granitin – dhimbja e një prindi mbetet e hapur, ndërsa kujtimi i aksidentit dhe vendimit gjyqësor vazhdon të prekë opinionin

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Katër korriku i vitit 2019, mbetet një nga datat më të dhimbshme për familjen Salihu nga Pograxha e Gjilanit. Sot bëhen shtatë vjet nga humbja tragjike e Granit Salihut, i cili humbi jetën në moshën 19-vjeçare në një aksident trafiku, duke lënë pas një familje të thyer dhe një histori që vazhdon të prekë opinionin publik.

Me rastin e përvjetorit të shtatë të ndarjes nga jeta të djalit të tij të vetëm, babai Hasan Salihu ka publikuar një mesazh prekës, ku shpreh dhimbjen që, sipas tij, nuk është zbehur as pas kalimit të viteve.

“Sot bëhen plot shtatë vjet nga ikja jote në amshim. Që nga ajo ditë e mallkuar, jeta për mua nuk ka më shije e as gëzim. Të kam dashur, të dua dhe do të të dua deri në frymën e fundit. Të qoftë i lehtë dheu që të mbulon, engjëlli im”, ka shkruar ai.

Granit Salihu humbi jetën më 4 korrik 2019, rreth orës 23:00, në një aksident trafiku pranë varrezave të fshatit Uglar. Sipas hetimeve të atëhershme të Policisë së Kosovës, dyshohej se drejtuesi i një automjeti, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, kishte kaluar në shiritin e kundërt dhe ishte përplasur me automjetin ku ndodhej 19-vjeçari.

Graniti kishte përfunduar shkollën e mesme të Mjekësisë në Gjilan dhe ishte fëmija i vetëm i familjes.

KKVITI

Rasti pati ngjallur reagime të shumta edhe pas vendimit të gjykatës, kur familja e viktimës e konsideroi dënimin e shqiptuar ndaj shkaktarit të aksidentit si tepër të lehtë.

Hasan Salihu kishte deklaruar publikisht se vendimi ishte një padrejtësi e rëndë për familjen e tij, duke thënë se ndjehej sikur e kishte humbur djalin për herë të dytë.

Rasti i Granit Salihut vazhdon të kujtohet si një nga ngjarjet që hapi debat të gjerë publik për sigurinë në komunikacion dhe politikën ndëshkuese ndaj aksidenteve me pasoja fatale.

Për familjen Salihu, megjithatë, kalendari ka ndryshuar vetëm datat, jo dhimbjen, e cila mbetet po aq e thellë sa në natën tragjike të 4 korrikut 2019./rajonipress/