Mbi 1 mijë e 460 gjoba për një javë, Policia e Gjilanit shton kontrollet në trafik
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë të ditur se gjatë periudhës 26 qershor – 2 korrik 2026 ka intensifikuar kontrollet në komunikacion, duke shqiptuar gjithsej 1.462 gjoba për shkelje të rregullave të trafikut rrugor.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik janë hetuar 13 aksidente me dëme materiale dhe 19 aksidente me persona të lënduar.
Policia ka shqiptuar gjithashtu 36 gjoba për mosvendosjen e rripit të sigurisë, 22 gjoba për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe 14 gjoba për automjete me modifikime të palejuara, përkatësisht vendosjen e folieve të errëta. Po ashtu, ndaj 17 drejtuesve të automjeteve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë vozitjes, duke theksuar se mosrespektimi i normave ligjore rrezikon jetën e drejtuesve të automjeteve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik./rajonipress/


