Eko Higjiena

Ndërtimi i bulevardit në Gjilan kërkon mbikëqyrje profesionale, ekspertët paralajmërojnë për rreziqe dhe gabime të mundshme

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Projekti i ndërtimit të bulevardit në Gjilan konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për qytetin, megjithatë njohës të fushës vlerësojnë se realizimi i tij duhet të shoqërohet me një mbikëqyrje të rreptë profesionale për të shmangur dëmtimet, kostot shtesë dhe pasojat afatgjata për qytetarët.

Sipas tyre, pavarësisht se bulevardi do të ndërtohet, ndikimi që punimet po shkaktojnë në jetën e përditshme të qytetarëve do të lërë pasoja dhe vështirësi që mund të zgjasin për një kohë të gjatë. Për këtë arsye, kërkohet që Komuna e Gjilanit të krijojë sa më parë një organ të pavarur mbikëqyrës, të përbërë nga ekspertë të fushave të ujësjellësit, energjisë elektrike, arkitekturës, ndërtimtarisë dhe inxhinierisë.

Sipas propozimit, ky ekip do të kishte për detyrë të monitorojë në mënyrë profesionale ecurinë e punimeve, të evidentojë çdo dëmtim të mundshëm në infrastrukturën nëntokësore, çdo devijim nga projekti dhe çdo gabim teknik që mund të ketë pasoja financiare apo ligjore për institucionet dhe qytetarët.

FIDANISHTJA

Njohësit e zhvillimeve lokale paralajmërojnë se mungesa e një mbikëqyrjeje profesionale mund ta ekspozojë komunën ndaj humbjeve financiare, vonesave në realizimin e projektit dhe përgjegjësive të mundshme ligjore, sidomos duke pasur parasysh kompleksitetin e punimeve në qendër të qytetit dhe faktin se kompania zbatuese nuk e njeh në detaje historikun urbanistik dhe karakteristikat e terrenit, përfshirë ndikimin që ka pasur ndër vite zona e Parkut të Qytetit.

Po ashtu, theksohet se Gjilani disponon një numër të konsiderueshëm profesionistësh dhe ekspertësh të fushave përkatëse, të cilët njohin në hollësi infrastrukturën dhe zhvillimin urban të qytetit dhe mund të japin kontribut të vlefshëm në monitorimin dhe mbarëvajtjen e këtij projekti strategjik.

Sipas tyre, përfshirja e ekspertizës vendore do të rriste sigurinë, transparencën dhe cilësinë e punimeve, duke garantuar që një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në Gjilan të realizohet sipas standardeve profesionale dhe në interes të qytetarëve./rajonipress/