Profesori i UBT-së, Shpresim Vranovci, nderohet me çmimin ndërkombëtar “Menaxheri i Vitit 2026” për Evropën Juglindore
Gjilan – Profesori i UBT-së dhe Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK), Shpresim Vranovci, është shpallur fitues i çmimit prestigjioz “Menaxheri i Vitit 2026” për rajonin e Evropës Juglindore, një vlerësim që u jepet drejtuesve me ndikim të veçantë në zhvillimin ekonomik, menaxhimin institucional dhe promovimin e praktikave më të mira profesionale.
Çmimi iu nda gjatë ceremonisë ndërkombëtare të mbajtur më 25 qershor 2026 në Sarajevë, e organizuar nga Agjencia Evropiane e Pavarur për Përzgjedhjen dhe Promovimin e Menaxherëve dhe Kompanive më të Suksesshme, e cila çdo vit vlerëson liderë dhe institucione që kanë dëshmuar rezultate të qëndrueshme dhe ndikim në zhvillimin e sektorëve strategjikë në rajon.
Vranovci u nderua në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv të AMIK-ut, për kontributin e tij në avancimin e sektorit mikrofinanciar, zgjerimin e përfshirjes financiare, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe promovimin e praktikave që kanë ndikuar në zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori në Kosovë.
Mirënjohja iu dorëzua nga ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesić, në prani të përfaqësuesve të institucioneve publike, komunitetit të biznesit dhe organizatave financiare nga vende të ndryshme të Evropës Juglindore.
Përveç angazhimit të tij në drejtimin e AMIK-ut, Shpresim Vranovci është edhe profesor në UBT, ku kontribuon në përgatitjen akademike të brezave të rinj në fushën e menaxhimit, financave dhe zhvillimit ekonomik. Aktiviteti i tij ndërthur përvojën akademike me atë profesionale, duke e bërë një nga figurat e njohura në sektorin financiar dhe universitar në Kosovë.
Ky çmim konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm jo vetëm për Vranovcin në aspektin personal dhe profesional, por edhe për AMIK-un, pasi pasqyron rezultatet e arritura në bashkëpunim me institucionet anëtare dhe partnerët e sektorit mikrofinanciar, si dhe konfirmon rolin e Kosovës në promovimin e standardeve moderne të menaxhimit dhe zhvillimit financiar në rajon./rajonipress/


