ARKATANA

Ndahet nga jeta ish-futbollisti i KF Studenti, Rexhep Kryeziu

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Komuniteti sportiv në Gjilan është në zi pas ndarjes nga jeta të ish-futbollistit të KF Studenti, Rexhep Kryeziu, një emër i njohur dhe sportdashës që për dekada dha kontribut të çmuar për futbollin lokal.

Sporti gjilanas ka humbur një nga njerëzit e tij më të përkushtuar. Është ndarë nga jeta Rexhep Kryeziu, ish-futbollist i KF Studenti dhe një prej figurave më të respektuara të komunitetit sportiv, i cili për dekada me radhë i shërbeu futbollit me pasion, përkushtim dhe dashuri të pakushtëzuar.

Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në fushën e blertë, por vazhdoi edhe pas përfundimit të karrierës si një mbështetës i palodhur i sportit dhe i brezave të rinj.

Lajmin e ka bërë të ditur Lidhja Rajonale e Futbollit e Gjilanit përmes një telegrami ngushëllimi, ku vlerësohet roli i Kryeziut si në fushën e lojës, ashtu edhe si mbështetës i përkushtuar i klubit dhe i zhvillimit të sportit në përgjithësi.

FIDANISHTJA

“Përkushtimi, bujaria dhe dashuria e tij për futbollin do të mbeten gjithmonë shembull për të gjithë”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

Në emër të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit, janë shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Kryeziu, KF Studenti, miqtë dhe mbarë komunitetin sportiv.

Ndarja nga jeta e Rexhep Kryeziut konsiderohet një humbje për futbollin lokal, ndërsa kujtimi dhe kontributi i tij pritet të mbeten pjesë e historisë së sportit në rajonin e Gjilanit. U prehtë në paqe./rajonipress/