UBT

Tahiri: Kosova rrezikon të hyjë prapë në bllokadë institucionale

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Aleanca nuk po kërkon poste politike për të mbështetur zhbllokimin e institucioneve, por zotime konkrete për disa çështje që i konsideron jetike për vendin, ka deklaruar deputeti i rizgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri.

Ai tha se partia e tij ka paraqitur një platformë politike me gjashtë kërkesa, ndërsa theksoi se nuk do ta bllokojë procesin e zgjedhjes së presidentit. E gjithashtu Tahiri nuk e përjashtoi mundësinë e përsëritjes së bllokadës institucionale.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Tahiri tha se platforma e prezantuar nga kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, nuk është një ide e momentit, por një qëndrim politik që lidhet me zhvillimet aktuale në vend.

“Kjo nuk është ide. Kjo është platformë politike e Aleancës, që ndërlidhet me situatën ku është Kosova sot dhe cili është diskursi politik prej qeverisë dhe partisë që ka fituar zgjedhjet. Pse e themi këtë? Kosova është në rrezik. Kosova ka rrezik të madh të përsëritet, me hy prapë në bllokadë. Fakti që diskutohet a duhet më së pari të zgjidhet presidenti apo qeveria, nënkupton që ideja është me kapë një post. Aleanca është partia e vetme e cila ka dhënë platformë, vetëm duke u deklaruar si vijon. Nuk duam poste, nuk kërkojmë hise në qeveri, nuk duam pozicione në diplomaci, por kërkojmë që për temat të cilat janë jetike për Kosovën: qëndrueshmërinë energjetike që lidhet me investimin e gazit të lëngshëm amerikan dhe me investimin te termocentralet, ngritjen e pragut të TVSH-së në 100 mijë euro, mos-tatimimin e tokës punuese dhe investimet në infrastrukturë. Këto janë kërkesat e Aleancës. Dhe mbi këto kërkesa po i thonë Kosovës: nuk kemi kushte, s’po duam poste, po zhbllokojeni vendin sepse i keni marrë 45 a 46 për qind sa i keni marrë”, deklaroi Tahiri.

Ai komentoi edhe deklaratat e deputetes së rizgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila kishte kritikuar mundësinë e mbështetjes së Ramush Haradinajt për president.

FIDANISHTJA

“Gjuha e Vetëvendosjes është gjuha më e ulët politike në historinë parlamentare. Ata janë kampionë të gjuhës së tillë. Ramush Haradinaj asnjëherë s’ka lypë votë. Asnjëherë s’ka thënë ‘unë jam kandidat’. Ka thënë: ‘Për me u zhbllokuar Kosova, për mos me mbetur peng, në qoftë se opozita e mbështet kandidaturën e tij, atëherë do të ketë garë zgjedhore’. Pra, ky pozicion së paku do ta zhbllokonte Kosovën. Nuk dihet kush do të fitonte, mirëpo do të kishte një kandidat për president nga opozita dhe një kandidat prej tyre. Nuk ka të bëjë asgjë me çka ka thënë ajo, as s’kemi lypë votë. Ne kemi thënë që nuk mundemi me vazhdu me një pozicion ku një parti do t’i marrë tri pozicione, me i zaptu tri pozicionet, sepse atëherë do të thotë me e kthyer shtetin parlamentar në një shtet autoritar”, u shpreh ai.

I pyetur nëse Aleanca, do të përkrahte një kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje për president nëse plotësohen kërkesat e saj, Tahiri tha se partia nuk synon ta bllokojë procesin, por vendimi për votën do të varet nga kandidatura konkrete.

“Këto janë kushtet tona dhe ne nuk e bllokojmë procesin. Pra, ne shkojmë në kuorum. A e votojmë apo jo, varet prej njerëzve dhe se çfarë emrash nxjerrin ata. Ne duhet ta dimë emrin, mirëpo këto që përmenda janë kushtet tona”, tha Tahiri.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini në një konferencë për media të premten tha se Kosova po rrezikon të futet sërish në krizën e mungesës së institucioneve, gjë kjo e cila sipas tij nuk shkon as në favor të qytetarëve e as të zhvillimit strategjik të Kosovës.