Fundamenti

Armiku më i madh i Kosovës, pas Serbisë, janë zjarret. Pse?

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Serbia mbetet armiku ynë historik dhe politik. Përballë saj duhet të jemi vigjilentë në çdo kohë, sepse rreziku që ajo përfaqëson nuk ka pushuar kurrë. Por, ndërkohë që vëmendjen e kemi të përqendruar jashtë kufijve, po harrojmë një armik tjetër që po na shkatërron çdo verë nga brenda – zjarret. Ky armik nuk mban uniformë, nuk vjen me tanke dhe nuk paralajmëron sulmin. Ai shpesh ndizet nga pakujdesia, papërgjegjësia ose qëllimi kriminal i vetë njeriut. Pikërisht kjo e bën edhe më të rrezikshëm.

Në Anamoravë, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës, qindra hektarë pyje, pisha dhe sipërfaqe të gjelbra janë shkrumbuar gjatë viteve të fundit. Tokë bujqësore, pasuri natyrore dhe ekosisteme të tëra janë zhdukur brenda pak minutash. Në shumicën dërrmuese të rasteve, shkaku nuk ka qenë natyra, por dora e njeriut.

Më shqetësuese se vetë zjarret është heshtja institucionale. Çdo verë përsëritet i njëjti skenar: reagime pasi dëmi është bërë, deklarata formale dhe premtime që harrohen sapo fiket flaka e fundit. Parandalimi vazhdon të mbetet hallka më e dobët e institucioneve tona.

Pushteti lokal dhe ai qendror duhet të shpallin alarm para se të fillojë sezoni i zjarreve, jo pasi të jenë djegur pyjet. Duhet të ketë plane konkrete, patrullime të shtuara, monitorim të zonave me rrezik, fushata të vazhdueshme sensibilizuese dhe koordinim të plotë mes të gjitha institucioneve përgjegjëse. Lufta kundër zjarreve nuk fitohet me konferenca për media, por me veprim në terren.

Megjithatë, përgjegjësia nuk është vetëm institucionale. Është edhe qytetare.

FIDANISHTJA

Secili prej nesh duhet ta kuptojë se mbrojtja e natyrës është detyrim qytetar. Na duhet një qytetar aktiv që denoncon çdo zjarrvënie, një polic vigjilent që reagon menjëherë, një prokuror këmbëngulës që ndjek pa kompromis autorët dhe një gjykatës që shqipton dënime shembullore. Mediat, nga ana tjetër, duhet të jenë pjesë e pandashme e kësaj beteje, duke informuar, edukuar dhe sensibilizuar opinionin publik çdo ditë, e jo vetëm kur flakët pushtojnë malet.

Nëse zjarrvënësit vazhdojnë të ndihen të paprekshëm, atëherë ne vetë po i japim dritën jeshile shkatërrimit të pasurisë sonë më të çmuar. Nuk mund të ketë tolerancë për ata që djegin pyjet, sepse nuk po djegin vetëm pemë; po djegin ajrin që thithim, biodiversitetin, ekonominë rurale dhe të ardhmen e brezave që vijnë.

Edhe Komuna e Gjilanit, ashtu si shumë institucione të tjera, nuk po e trajton me seriozitet rrezikun që po afrohet. Kjo nuk është çështje që pret derisa të bjerë flaka e parë. Çdo ditë vonesë mund të kushtojë me qindra hektarë pyje dhe miliona euro dëme.

Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë masa të menjëhershme dhe dënime të ashpra për çdo person që shkakton zjarr me dashje ose nga pakujdesia. Nuk mund të ketë më justifikime. Nuk mund të ketë më indiferencë.

Nëse nuk veprojmë sot, nesër nuk do të kemi çfarë të mbrojmë./rajonipress/