Policia në Gjilan lokalizon motoçiklistin që nuk iu bind urdhrave, i shqiptohen tetë kundërvajtje dhe i sekuestrohet motoçikleta
Gjilan – Policia e Kosovës ka lokalizuar dhe proceduar një person të dyshuar në Gjilan, i cili në disa raste kishte refuzuar t’u bindet urdhrave të zyrtarëve policorë për t’u ndalur, duke rrezikuar sigurinë në komunikacion njoftoi Ismet Hashani.
Sipas njoftimit të Policisë, më 26 qershor 2026, pas ndërmarrjes së veprimeve operative, zyrtarët e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Gjilan, të angazhuar në kuadër të Task Forcës “Siguria në Trafik”, arritën ta lokalizojnë të dyshuarin, shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në Gjilan.
Policia bën të ditur se i dyshuari, duke drejtuar motoçikletën e tij, në disa raste nuk ka respektuar urdhrat e zyrtarëve policorë për t’u ndalur, ndërsa me veprimet e tij ka rrezikuar sigurinë e policëve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Po ashtu, gjatë procedurës për tërheqjen e motoçikletës, ai ka penguar zyrtarët policorë dhe personelin e autorizuar për bartjen e automjeteve në kryerjen e detyrave zyrtare.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e procedurave kundërvajtëse ndaj të dyshuarit. Atij i janë shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje nga fusha e Prishjes së Rendit dhe Qetësisë Publike, si dhe sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Gjatë trajtimit të rastit, policia ka evidentuar gjithsej tetë kundërvajtje, për të cilat janë përpiluar fletëparaqitje për procedim në gjykatë. Gjithashtu, është bërë sekuestrimi i përkohshëm i motoçikletës së përdorur nga i dyshuari.
Sipas Policisë së Kosovës, lënda do të procedohet në procedurë të rregullt pranë gjykatës kompetente./rajonipress/


