ARKATANA

Bujar Nevzati demanton Drejtorin e Shërbimeve Publike: “Fotot dhe leja nuk i përkasin bulevardit”

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Shefi i Grupit të PDK-së në Gjilan, Bujar Nevzati, ka reaguar publikisht duke demantuar deklaratat e Drejtorit të Shërbimeve Publike lidhur me punimet e prezantuara si pjesë e ndërtimit të bulevardit të qytetit.

Sipas Nevzatit, fotografitë e publikuara së fundmi nga drejtori nuk paraqesin punimet e bulevardit, por janë nga vendosja e gurthemelit të objektit të Administratës Komunale. Ai thekson se edhe leja e paraqitur në publik nuk ka lidhje me projektin e bulevardit, por i referohet po këtij objekti institucional.

Nevzati thotë se kjo çështje është lehtësisht e verifikueshme përmes Geoportalit, ku sipas tij numri i lejes 04520-1 i përket vetëm objektit të Administratës Komunale dhe nuk ka lidhje me parcelën ku planifikohet bulevardi apo ndërhyrjet në park.

Ai sqaron se parcela ku ndodhet parku mban numrin 4508-0 dhe për të, sipas tij, nuk ekziston asnjë leje ndërtimi e vlefshme. Për këtë arsye, ai vlerëson se paraqitja e dokumentit të Administratës Komunale si leje për bulevardin përbën, siç e quan ai, manipulim të opinionit publik.

Eco Higjiena

“Manipulime të tilla nuk do të kalojnë”, ka deklaruar Nevzati, duke kërkuar transparencë të plotë rreth dokumentacionit dhe projekteve që po realizohen në atë zonë.

Reagimi i tij vjen në kuadër të debatit të vazhdueshëm publik për ndërhyrjet në hapësirat e parkut dhe realizimin e projektit të bulevardit në qytetin e Gjilanit./rajonipress/