ARKATANA

Komentet për Parkun e Gjilanit zbulojnë ndarjet në opinion: Nga mbështetja për projektin te ironia dhe kritikat politike

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Debati rreth ndërhyrjeve në Parkun e Qytetit dhe realizimit të projektit të bulevardit ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke reflektuar jo vetëm mendime të ndryshme për projektin, por edhe polarizimin e thellë politik që shpesh shoqëron çështjet publike në Kosovë. Përtej debateve politike, shqetësim të veçantë te qytetarët ka shkaktuar mënyra se si po zhvillohen punimet në Parkun e Qytetit, ku sipas pamjeve të publikuara janë evidentuar dëmtime të konsiderueshme të hapësirës së gjelbër dhe të elementeve me vlerë historike e simbolike. Reagimet janë përqendruar veçanërisht te trajtimi i monumenteve dhe busteve të figurave kombëtare.

Statuja e heroit Sylë Zarbinca është parë e hedhur në tokë dhe pa përkujdesjen e nevojshme gjatë procesit të punimeve, një veprim që është cilësuar nga shumë qytetarë si i papranueshëm dhe denigrues për kujtesën historike. Në të njëjtën kohë, ekzistojnë shqetësime se edhe monumenti i Idriz Seferit mund të zhvendoset në mënyrë të ngjashme, pa transparencë dhe pa respektimin e standardeve profesionale për trajtimin e monumenteve publike.

Kritikat nuk lidhen vetëm me realizimin e projektit urban, por edhe me mungesën e kujdesit institucional ndaj simboleve që përfaqësojnë historinë, sakrificën dhe identitetin e qytetit dhe të kombit.

Derisa një pjesë e qytetarëve shprehen në favor të projektit, duke e parë atë si një mundësi për modernizimin e qytetit, të tjerë reagojnë me ironi, kritika apo komente të motivuara politikisht.

“Veç le të punohet, mos shikoni me blloku projekte në të mirë të qytetit se kemi mbetur si Mongolia”, ka shkruar qytetari Astrit Salihu, duke mbështetur vazhdimin e punimeve dhe investimeve infrastrukturore.

Në një tjetër koment, Qefsere Shala është shprehur në mënyrë polemike për funksionin aktual të parkut, duke lënë të kuptohet se hapësira në fjalë nuk po shfrytëzohet sipas potencialit që ka.

Qefsere Shala ka shkruar: “Ishalla e hjekin krejt se veq pleq e ruspija aty TU e shfrytzu…”, një reagim që ka nxitur kundërshtime dhe kritika nga përdorues të tjerë të rrjeteve sociale për gjuhën e përdorur ndaj kategorive të ndryshme të qytetarëve.

Hidromorava

Ndërkohë, qytetari Milazim Aliu e ka lidhur debatin me zhvillimet politike, duke ironizuar me rezultatin e zgjedhjeve dhe përgjegjësinë e pushtetit lokal për situatën e krijuar. Aliu e ka lidhur debatin me zhvillimet politike duke komentuar: “votoni prap vv gggggg”.

Komentet e publikuara pasqyrojnë një realitet të njohur në debatin publik kosovar, ku projektet urbane shpesh vlerësohen ose kundërshtohen jo vetëm mbi bazën e ndikimit që kanë në jetën e qytetarëve, por edhe përmes filtrit të përkatësive politike.

Njohës të çështjeve të qeverisjes lokale vlerësojnë se projektet me ndikim të madh në hapësirat publike kërkojnë debat profesional, transparencë institucionale dhe pjesëmarrje qytetare, në mënyrë që vendimmarrja të mos mbetet peng i ndarjeve partiake, por të fokusohet në interesin afatgjatë të qytetit dhe të komunitetit.

Pikërisht çështja e Parkut të Qytetit ka nxjerrë në pah nevojën që diskutimi të zhvendoset nga pozicionimet politike drejt analizës së ndikimit real që projekti do të ketë në mjedis, cilësinë e jetës urbane dhe identitetin e Gjilanit si një qytet që historikisht është identifikuar me hapësirat e tij të gjelbra.

Përveç polemikave rreth prerjes së drunjve dhe transformimit të Parkut të Qytetit, diskutimi publik është shoqëruar edhe me komente të ashpra në rrjetet sociale, të cilat në shumë raste kanë devijuar nga debati për projektin dhe janë fokusuar në gjuhë fyese apo nënçmuese.

Këto reagime tregojnë se debati për Parkun e Gjilanit nuk po zhvillohet vetëm rreth aspektit urbanistik dhe mjedisor, por edhe në një klimë të polarizuar politike e sociale, ku shpesh mungon diskutimi argumentues mbi pasojat dhe përfitimet konkrete të projektit për qytetin./rajonipress/