KKVITI

Nga fjalët te veprat: Sami Ballanca Goshica pastron deponinë ilegale në pyll, Arton Musliu e vlerëson si shembull të qytetarisë së përgjegjshme

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Viti – Një aksion vullnetar për mbrojtjen e mjedisit dhe pastrimin e natyrës ka marrë vlerësime të shumta në komunën e Vitisë, pasi qytetari Sami Ballanca Goshica, së bashku me familjarë dhe miq, ka ndërhyrë për të larguar mbeturinat e hedhura ilegalisht në një zonë pyjore pranë burimit të njohur te Kasolla.

Përmes një reagimi publik, Goshica ka ngritur shqetësimin për ndotjen e vazhdueshme të natyrës nga individë të papërgjegjshëm, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim qytetar dhe respektim të ligjit.

“Mos hidhni mbeturina në pyll! Sot, bashkë me vëllain Izrinë dhe Demirin, si dhe me shokun Fatmirin, u futëm në baltë për të pastruar një përroskë që dikush e kishte kthyer në deponi. Kanë sjellë mbeturinat nga shtëpia dhe i kanë hedhur në pyll. Mbi 15 qese të mëdha plot me mbeturina shtëpiake, shishe, rroba dhe ndyrësi të tjera. Ju helmoni ujin që pimë te Kasolla, e cila vizitohet nga shumë njerëz që e pinë ujin pikërisht prej asaj përroske. Mos harroni, hedhja e mbeturinave në pyll është vepër e dënueshme me ligj. Pylli nuk është deponia! Respektoni natyrën!”, ka shkruar ai.

Aksioni i tij është përshëndetur edhe nga drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjenca në Komunën e Vitisë, Arton Musliu, i cili e ka cilësuar Goshicën si shembull të qytetarisë aktive dhe përgjegjësisë ndaj mjedisit.

“Qe qysh doket një qytetar model që kujdeset për mjedisin. Vetëdija kolektive ndërtohet bash përmes këtyne aksioneve të njerëzve bujar e fisnik që mjedisin e natyrën e shohin si diçka të tyne e të përbashkët. Si Drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjenca në Komunën e Vitisë, u jam shumë mirënjohës”, ka deklaruar Musliu.

Uji Dea

Rasti ka rikthyer në vëmendje problemin e deponive ilegale në zonat rurale dhe pyjore, një dukuri që vazhdon të rrezikojë burimet ujore, biodiversitetin dhe shëndetin publik. Në të njëjtën kohë, ky veprim është parë si dëshmi se mbrojtja e mjedisit nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por edhe obligim qytetar.

Mes pamjeve të mbeturinave të grumbulluara në pyll dhe angazhimit vullnetar për pastrimin e tyre, mesazhi që vjen nga ky aksion është i qartë: natyra nuk mbrohet me deklarata, por me veprime konkrete.

Në një kohë kur ndotja po shndërrohet në sfidë serioze për komunitetet lokale, shembujt si ai i Sami Ballanca Goshicës tregojnë se ndërgjegjja qytetare mbetet aleati më i fuqishëm në mbrojtjen e mjedisit dhe të pasurive natyrore./rajonipress/