UBT

Gjilani ende pa vizion të ri zhvillimor: Urbanizmi vazhdon të operojë me harta dhe kufij të një epoke të tejkaluar

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Mungesa e një Plani të ri Zhvillimor Komunal vazhdon të mbetet një nga boshllëqet më të mëdha strategjike në menaxhimin e zhvillimit urban të Gjilanit. Ndonëse kanë kaluar afro dy dekada nga procesi i decentralizimit dhe krijimi i komunave të reja, në institucionin përgjegjës për planifikimin hapësinor ende ekspozohen dokumente dhe paraqitje grafike që pasqyrojnë kufijtë territorialë të periudhës para reformës administrative.

Në ambientet e Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit vazhdojnë të qëndrojnë të afishuara harta që paraqesin një Gjilan shumë më të madh territorialisht, duke përfshirë zona që prej vitesh funksionojnë si komuna të pavarura, si Ranillugu, Parteshi dhe Kllokoti. Ky detaj, ndonëse në pamje të parë mund të duket simbolik, reflekton mungesën e harmonizimit të dokumentacionit planifikues me realitetin aktual institucional dhe territorial.

Situata bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh fakti se Komuna e Gjilanit vazhdon të mos ketë një Plan të ri Zhvillimor Komunal në fuqi. Dokumenti strategjik 2021–2029, i cili ishte miratuar në fund të vitit 2021, u anulua një vit më vonë dhe që nga ajo kohë nuk është zëvendësuar me një plan të ri gjithëpërfshirës që do të orientonte zhvillimin urban, ekonomik dhe mjedisor të qytetit.

Fundamenti

Ekspertët e planifikimit hapësinor vlerësojnë se mungesa e këtij dokumenti kufizon kapacitetin institucional për të projektuar zhvillimin afatgjatë, për të tërhequr investime serioze dhe për të menaxhuar në mënyrë efikase zgjerimin urban. Në mungesë të një vizioni të qartë strategjik, vendimmarrja për projekte të mëdha infrastrukturore rrezikon të mbetet e fragmentuar dhe pa koordinimin e nevojshëm profesional.

Ndërkohë, fakti që në një drejtori kyçe të administratës komunale vazhdojnë të përdoren referenca territoriale të para më shumë se 16 vjetëve, ngre pikëpyetje për ritmin e përshtatjes institucionale me realitetet e reja administrative dhe zhvillimore.

Përballë sfidave të urbanizimit, rritjes së kërkesave për infrastrukturë moderne dhe nevojës për investime të qëndrueshme, hartimi dhe miratimi i një Plani të ri Zhvillimor Komunal konsiderohet tashmë jo vetëm një obligim ligjor, por një domosdoshmëri strategjike për të ardhmen e Gjilanit. Qyteti ka nevojë për një dokument modern, të bazuar në kufijtë aktualë territorialë dhe në nevojat reale të qytetarëve, që do të shërbente si busull e zhvillimit për dekadën e ardhshme./rajonipress/