ARKATANA

Florina Jerliu ngre alarmin për prerjen e drunjve në Parkun e Qytetit: “Gjilani nuk mund të zhvillohet duke humbur identitetin e tij të gjelbër”

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Asamblistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Florina Qamili Jerliu, ka reaguar publikisht lidhur me prerjen e drunjve shumëvjeçarë në Parkun e Qytetit, duke e cilësuar këtë proces si një veprim shqetësues që po realizohet pa transparencën e nevojshme institucionale, pa debat publik dhe pa konsultim me përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve.

Në reagimin e saj, Jerliu ka shprehur shqetësimin e thellë për atë që po ndodh në një nga hapësirat më të rëndësishme të gjelbërta të qytetit, duke theksuar se drunjtë që po priten nuk janë vetëm elemente dekorative urbane, por pjesë e historisë dhe identitetit të Gjilanit.

“Me shqetësim të thellë po përcjellim prerjen e drunjëve shumëvjeçarë në Parkun e Qytetit në Gjilan, një veprim i cili po realizohet pa transparencë, pa debat publik dhe, mbi të gjitha, pa konsultim me përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve në Kuvendin Komunal. Drunjtë që po priten nuk janë thjesht bimësi urbane. Ata përfaqësojnë historinë, identitetin dhe trashëgiminë natyrore të qytetit tonë. Shumë prej tyre kanë një moshë që i afrohet një shekulli dhe kanë shërbyer për dekada si mushkëri të gjelbra të Gjilanit”, ka deklaruar ajo.

Sipas Jerliut, ndërhyrje të tilla me pasoja të konsiderueshme mjedisore nuk do të duhej të realizoheshin pa një diskutim të gjerë institucional dhe profesional, duke vënë në pah mungesën e debatit në Kuvendin Komunal dhe mungesën e shqyrtimit të alternativave për ruajtjen e fondit ekzistues të gjelbërimit.

“Është e papranueshme që një ndërhyrje e tillë me pasoja të mëdha mjedisore të ndërmerret pa u diskutuar paraprakisht në Kuvendin Komunal dhe pa u shqyrtuar të gjitha alternativat profesionale. Në vend të sharrës dhe prerjes, duhej të ishte analizuar seriozisht mundësia e zhvendosjes së këtyre drunjëve në hapësira të tjera të qytetit. Sot ekzistojnë teknologji dhe praktika profesionale që mundësojnë transplantimin e drunjëve të mëdhenj, madje edhe atyre me moshë shumë të avancuar”, ka theksuar ajo.

Uji Dea

Jerliu ka vlerësuar se procesi aktual nuk mund të paraqitet si zhvillim urban, nëse ai realizohet në dëm të trashëgimisë natyrore dhe pa përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.

“Kjo që po ndodh nuk mund të quhet zhvillim urban. Kur zhduket një pjesë e trashëgimisë së gjelbër pa analizë, pa debat dhe pa pjesëmarrje qytetare, kemi të bëjmë me një veprim të papërgjegjshëm ndaj mjedisit dhe brezave që vijnë. Mungesa e komunikimit me qytetarët, me ekspertët dhe me Kuvendin Komunal tregon mungesë vizioni dhe mungesë vullneti për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Mundësitë për ruajtjen e këtyre drunjëve kanë ekzistuar, por duket se ka munguar dija, planifikimi dhe largpamësia për t’i shfrytëzuar ato”, ka shtuar ajo.

Në fund të reagimit të saj, asamblistja e LDK-së ka kërkuar transparencë të plotë nga institucionet komunale dhe pezullimin e mëtejshëm të prerjeve deri në një shqyrtim të hapur institucional.

“Si asambliste e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Gjilanit, kërkoj publikimin e menjëhershëm të projektit, të studimeve profesionale dhe të të gjitha vendimeve që kanë çuar në këtë veprim. Gjithashtu kërkoj ndërprerjen e prerjeve të mëtejshme deri në një debat të hapur institucional dhe profesional. Gjilani meriton zhvillim, por jo në kurriz të natyrës, historisë dhe identitetit të tij të gjelbër”, ka përfunduar Florina Qamili Jerliu.

Reagimi i saj vjen në një kohë kur punimet në zonën e Parkut të Qytetit kanë nxitur debat publik dhe shqetësime të shumta për ndikimin që këto ndërhyrje mund të kenë në një nga hapësirat më simbolike dhe më të frekuentuara të Gjilanit./rajonipress/