Kritika të ashpra për ndërhyrjet në Parkun e Qytetit, opozita kërkon hetim: “Gjilani po humb mushkëritë e veta”
Gjilan – Debati rreth realizimit të projektit të Bulevardit “Ibrahim Rugova” ka hyrë në një fazë të re përplasjesh politike dhe publike, pas reagimeve të ashpra që po vijnë nga opozita dhe qytetarët lidhur me ndërhyrjet në Parkun e Qytetit.
Në një reagim publik nga LDK e Gjilanit, janë ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si po zhvillohen punimet, duke u pretenduar se një pjesë e parkut dhe hapësirave të gjelbra po dëmtohen pa transparencë të mjaftueshme dhe pa dokumentacionin e nevojshëm urbanistik.
Sipas reagimit, Bulevardi “Ibrahim Rugova”, i cilësuar si një nga projektet më të rëndësishme urbane të qytetit, po realizohet duke cenuar një nga asetet më të rëndësishme mjedisore të Gjilanit.
“Bulevardi Ibrahim Rugova, me mushkëritë e tij, u masakrua pa leje, pa plan urban dhe pa plan zhvillimor, e tash e pesë vite pa mundësi të zonimit. Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë. Komuna, nga kunatat e balldëskat, po trajtohet si çiflig”, thuhet në reagim.
Në të njëjtin reagim kritikohet edhe qasja e institucioneve komunale ndaj projekteve të mëdha infrastrukturore, duke u theksuar se një sërë investimesh të rëndësishme kanë mbetur të papërfunduara ose nuk kanë filluar fare.
“Nuk u vazhdua autostrada, nuk u përfundua stadiumi, nuk u punuan rruga e Prishtinës, ajo e Kllokotit dhe e Kumanovës. Nuk po punohen kolektorët e as impianti, por po prehet e masakrohet Parku i Gjilanit”, theksohet më tej.
Reagimi ndalet edhe te projektet zhvillimore të iniciuara në periudhat e mëhershme qeverisëse, për të cilat pretendohet se kanë siguruar mbështetje të konsiderueshme financiare nga institucionet ndërkombëtare, por që nuk janë realizuar.
“Projektet e Lutës, që japin zgjidhje sistemore dhe e ngrejnë Gjilanin në një nivel të ri zhvillimor, kanë siguruar 178 milionë euro financim nga institucionet financiare ndërkombëtare. Fatkeqësisht, mungesa e dijes dhe e vullnetit për t’i zbatuar po i mban këto projekte peng dhe po e privon Gjilanin nga zhvillimi që meriton”, thuhet në deklaratë.
Në fund të reagimit përcillet mesazhi se qytetarët nuk do të qëndrojnë indiferentë ndaj, siç thuhet, dëmtimit të hapësirave publike dhe mungesës së llogaridhënies institucionale.
“Nuk kalon! Lavdi marrëzisë! Gjilani i qytetarëve”, përfundon reagimi.
Ndërkohë, projekti i Bulevardit “Ibrahim Rugova” vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara në Gjilan, duke nxitur debate të forta mes pushtetit lokal, opozitës dhe qytetarëve për ndikimin e tij në zhvillimin urban dhe ruajtjen e hapësirave të gjelbra të qytetit./rajonipress/


