ARKATANA

Pacolli: Goditjet më të rënda nuk më erdhën nga kundërshtarët, por nga njerëz të afërt

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Biznesmeni dhe ish-politikani Behgjet Pacolli ka ndarë një mesazh publik ku ka folur për përvojën e tij jetësore, sfidat dhe mënyrën se si ka zgjedhur t’u përgjigjet zhgënjimeve dhe padrejtësive gjatë rrugëtimit të tij.

Pacolli thekson se, sipas përvojës së tij të gjatë, goditjet më të rënda nuk i kanë ardhur nga kundërshtarët, por nga njerëz që kanë qenë pranë tij dhe të cilëve u ka besuar gjatë rrugëtimit të tij profesional dhe jetësor.

“Jeta dhe përvoja e gjatë më mësuan se goditjet pas shpine rrallëherë më kanë ardhur nga kundërshtarët. Ato më erdhën nga njerëz që i kam pasur pranë, nga ata të cilëve u kam besuar dhe me të cilët kam ndarë rrugëtimin”, ka deklaruar Pacolli.

Ai shton se, pavarësisht zhgënjimeve dhe përpjekjeve për t’ia mohuar mundin e një jete, shumë persona do të ndaleshin ose do të humbnin energjinë duke u ankuar apo kërkuar hakmarrje, por ai vetë ka zgjedhur një qasje tjetër.

FIDANISHTJA

“Por unë kam zgjedhur një rrugë tjetër. Të vazhdoj të ndërtoj. Të vazhdoj të krijoj. Të vazhdoj të hap dyer të reja, edhe kur dikush përpiqet t’i mbyllë ato”, ka theksuar ai.

Pacolli nënvizon se përgjigjja më e mirë ndaj padrejtësisë nuk është dorëzimi, por puna dhe krijimi i vlerave të reja.

“Kam mësuar se përgjigjja më e mirë ndaj padrejtësisë nuk është dorëzimi, por puna. Jo ankesa, por rezultati. Jo urrejtja, por krijimi i vlerave të reja. Në fund, zhurma shuhet. Zoti sjell drejtësinë dhe veprat mbeten”, ka shkruar ai.

Në fund të mesazhit të tij, Pacolli u është drejtuar ndjekësve me një urim për një ditë të mbarë./rajonipress/