Fundamenti

Ndahet nga jeta Salih Maqedonci, intelektuali që i shërbeu Kosovës me dije, integritet dhe përkushtim historik

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kosova ka humbur një prej personaliteteve të saj më të respektuara në fushën e arsimit, diplomacisë akademike dhe shërbimit publik. Në moshën 86-vjeçare është ndarë nga jeta Salih (Bajram) Maqedonci, një intelektual i shquar, arsimtar, përkthyes, njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze dhe një prej dëshmitarëve të rëndësishëm të proceseve historike që shënuan rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur edhe nipi i tij, Bejtush Gashi, i cili përmes një mesazhi prekës e ka cilësuar dajën e tij si një figurë që la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Kosovës.

Në fjalët prekëse të nipit të tij, Bejtush Gashi, përmblidhet më së miri madhështia e figurës së Salih Maqedoncit. Ai do të kujtohet si një burrë me integritet të rrallë moral, një intelektual i urtë dhe një shërbyes besnik i interesit publik, i cili gjatë gjithë jetës mbeti i palëkundur përballë sfidave dhe rrethanave të vështira.

Rigoroz në parime, i saktë në veprime dhe i papërkulur në qëndrime, Salih Maqedonci jetoi me nder dhe i shërbeu vendit me devotshmëri të jashtëzakonshme. Ai u largua nga kjo botë me dinjitetin e një njeriu që nuk kërkoi kurrë lavdi personale, por që ndërtoi një trashëgimi të pasur përmes veprave konkrete dhe kontributit të heshtur.

Pas vetes la një emër të ndritur dhe një testament të gjallë për brezat që vijnë, se atdheu nuk i shërbehet me fjalë të mëdha e me protagonizëm të rremë, por me punë, ndershmëri, përkushtim dhe vepra që mbeten të gdhendura në kujtesën kolektive të një kombi.

I lindur më 4 nëntor 1939 në Butovc të Epërm të Prishtinës, Salih Maqedonci jetën e tij ia kushtoi arsimit, dijes dhe shërbimit ndaj vendit. Pas përfundimit të Shkollës Normale në Prishtinë në vitin 1961, ai filloi karrierën si mësues, ndërsa më vonë përfundoi studimet e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin e Prishtinës dhe vazhdoi specializimet profesionale në Londër.

Kontributi i tij u bë veçanërisht i rëndësishëm në vitet e konsolidimit të Universitetit të Prishtinës, ku si bashkëpunëtor profesional për marrëdhënie me jashtë ndihmoi në ndërtimin e urave të para akademike dhe shkencore me universitetet dhe institucionet perëndimore. Në një kohë izolimi politik e kulturor, ai u shndërrua në një nga figurat që hapën dritaret e komunikimit të Kosovës me botën demokratike.

Karriera e tij profesionale përfshiu një gamë të gjerë institucionesh vendore dhe ndërkombëtare. Ai punoi si zyrtar në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, në Misionin Diplomatik Amerikan, në OSBE, UNMIK, IOM dhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke u dalluar gjithmonë për profesionalizëm, korrektësi dhe integritet të lartë moral.

FIDANISHTJA

Një kapitull i veçantë në jetën e tij mbetet angazhimi gjatë luftës së Kosovës. Në janar të vitit 1999, gjatë ngjarjeve tragjike të Masakrës së Reçakut, Salih Maqedonci ishte pjesë e Misionit Diplomatik Amerikan të Monitorimit dhe bashkëpunëtor i afërt i ambasadorit amerikan William Walker. Ai shërbeu si përkthyes dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i krimeve që tronditën opinionin ndërkombëtar.

Sipas familjarëve, përkthimi i tij profesional dhe besnik ndaj së vërtetës ndihmoi që bota të kuptonte përmasat e tragjedisë së Reçakut. Për këtë angazhim ai u bë objekt i sulmeve dhe keqtrajtimeve nga strukturat e regjimit serb, por asnjëherë nuk u tërhoq nga misioni i tij për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.

Pas luftës, ai vazhdoi t’i shërbente Kosovës në ndërtimin e institucioneve të reja shtetërore. Si këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe njohës i protokollit shtetëror, ai dha kontribut të çmuar në krijimin e standardeve institucionale dhe në përfaqësimin dinjitoz të shtetit të ri të Kosovës.

Përveç angazhimit institucional, Salih Maqedonci la gjurmë edhe në fushën e publicistikës dhe përkthimit. Ai botoi artikuj të shumtë dhe përktheu në shqip veprën “Golgota Shqiptare”, duke kontribuar në pasurimin e literaturës historike dhe kulturore shqiptare.

Ata që e njohën nga afër e përshkruajnë si një njeri me kulturë të gjerë, rigoroz në punë, të drejtë në qëndrime dhe të pakompromis ndaj vlerave. Ai ishte mishërim i intelektualit që nuk kërkoi asnjëherë protagonizëm publik, por që përmes veprave dhe përkushtimit të tij ndikoi në procese të rëndësishme kombëtare.

Ndarja nga jeta e Salih Maqedoncit lë një boshllëk të madh te familja, miqtë, bashkëpunëtorët dhe te gjithë ata që patën fatin të punojnë e të mësojnë prej tij. Megjithatë, trashëgimia e tij intelektuale, kontributi në arsim, në diplomacinë akademike dhe në shërbimin publik do të mbeten pjesë e historisë së Kosovës.

Salih Maqedonci do të kujtohet si një arsimtar i përkushtuar, një përkthyes i së vërtetës, një intelektual me integritet të rrallë dhe një patriot i heshtur që i shërbeu vendit me nder, urtësi dhe dinjitet deri në fund të jetës së tij./rajonipress/