ARKATANA

UBT nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Indian Economic Trade Organisation (IETO) nga India

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

UBT pati kënaqësinë të mirëpresë një delegacion të nivelit të lartë nga India, të udhëhequr nga Dr. Asif Iqbal, President i Indian Economic Trade Organisation (IETO), i shoqëruar nga përfaqësues të disa prej kompanive dhe organizatave më të rëndësishme të sektorit privat indian.

Gjatë vizitës, UBT dhe IETO nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila synon forcimin e lidhjeve ndërmjet komunitetit akademik dhe atij të biznesit në Kosovë dhe Indi. Marrëveshja parashikon zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fushat e arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit, sipërmarrjes, tregtisë dhe investimeve, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi për studentët, akademikët dhe komunitetin e biznesit të të dy vendeve.

Në kuadër të takimeve, Presidenti i IETO-së i adresoi një ftesë zyrtare Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, për të realizuar një vizitë në New Delhi, me qëllim thellimin e partneritetit institucional dhe zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Indisë.

Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm në avancimin e diplomacisë ekonomike dhe publike të Kosovës, duke kontribuar në krijimin e urave të reja të bashkëpunimit me një nga ekonomitë më të mëdha dhe më dinamike në botë. Ky angazhim merr rëndësi të veçantë duke pasur parasysh potencialin e madh për zgjerimin e kontakteve ndërmjet institucioneve, bizneseve dhe shoqërisë civile të dy vendeve.

Hidromorava

Një fokus i veçantë i diskutimeve ishte edhe industria kreative dhe kinematografike, duke pasur parasysh pozicionin global të Indisë si një nga qendrat më të mëdha të prodhimit filmik në botë. Pjesë e delegacionit ishte edhe një nga producentët e njohur të industrisë Bollywood, me të cilin u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fushën e filmit, mediave kreative, shkëmbimit kulturor dhe promovimit ndërkombëtar të talenteve të reja.

UBT mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare që kontribuojnë në zhvillimin e arsimit, inovacionit, ekonomisë dhe dialogut ndërkulturor, duke e pozicionuar Kosovën si një partner të besueshëm në arenën globale.