Fundamenti

Pacolli: Suksesi nuk matet me sa larg shkon, por me njerëzit e dashur që ecin me ty

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Ish-presidenti i Kosovës dhe biznesmeni i njohur, Behgjet Pacolli, ka ndarë një reflektim personal mbi familjen, suksesin dhe vlerat që, sipas tij, qëndrojnë mbi çdo arritje profesionale.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pacolli ka shkruar se pas shumë vitesh udhëtimesh, sfidash dhe suksesi në botën e biznesit, ka kuptuar se vlera më e madhe nuk janë projektet apo investimet, por familja me të cilën ndan rrugëtimin e jetës.

“Vjen një ditë kur kupton se gjëja më e bukur nuk është bota që ke sfiduar me punë e arritje, por familja me të cilën e ke ndarë këtë rrugëtim”, ka shkruar ai.

Pacolli ka theksuar se, megjithëse anëtarët e familjes së tij ndodhen në vende të ndryshme të botës dhe janë të angazhuar në projekte të ndryshme, ata vazhdojnë të ndajnë të njëjtat vlera dhe të punojnë për të njëjtat synime.

“Sot unë jam në Stamboll. Vëllau im është në Mongoli, tjetri me mua, një tjetër në Kenia duke u kujdesur për projektet e grupit. Im nip në një cep tjetër të botës, fëmijët dhe familjarët në vende të ndryshme, secili duke mbajtur një pjesë të përgjegjësisë së përbashkët”, është shprehur Pacolli.

Ai ka vlerësuar se pasuria më e madhe nuk qëndron te ndërtesat, aeroportet apo bizneset e ndërtuara ndër vite, por te vazhdimësia e punës dhe vlerave nga një brez te tjetri.

Në reflektimin e tij, Pacolli ka folur edhe për sfidat e kohëve të fundit, duke theksuar se ato kanë shërbyer për ta afruar edhe më shumë familjen dhe për të dëshmuar rëndësinë e mbështetjes reciproke në momentet e vështira.

“Në fund të fundit, suksesi nuk matet me sa larg shkon. Matet me sa njerëz fort të dashur ecin me ty në atë rrugë”, ka përfunduar ai./rajonipress/

UBT

Postimi i plotë i Pacollit:

Njeriu udhëton shumë vjet për të pushtuar botën. Raskapitet… E, vjen një ditë kur kupton se gjëja më e bukur nuk është bota që ke sfiduar me punë e arritje, por familja me të cilën e ke ndarë këtë rrugëtim. Ka çaste përsiatjeje, kur kupton se bota është bërë kaq e vogël.

Dhe kjo, jo sepse mundësitë e udhëtimit ta kanë sjellë më shpejt afër, as sepse teknologjia i ka afruar kontinentet në pak minuta largësi. Por sepse njerëzit e tu janë kudo.

Dikush në Azi, dikush në Europë, dikush në një cep tjetër të globit, dhe megjithatë të gjithë punojnë për të njëjtën ëndërr, mbajnë të njëjtat vlera dhe ndajnë të njëjtën përgjegjësi. Sot unë jam në Stamboll.

Vëllau im është në Mongoli, tjetri me mua, një tjetër ne Kenija një tjetër duke u kujdesur për projektet e grupit. Im nip në një cep tjetër të botës, fëmijët dhe familjarët në vende të ndryshme, secili duke mbajtur një pjesë të përgjegjësisë së përbashkët.

Ndaj, ndonjëherë mendoj se pasuria më e madhe nuk janë ndërtesat që ngre, aeroportet që ndërton apo bizneset që krijon.

Pasuria më e madhe është kur sheh se puna, mundi dhe vlerat e tua, kalojnë nga një brez tek tjetri dhe vazhdojnë të jetojnë përmes njerëzve të tu të zemrës. Sfidat e kohëve të fundit, në vend që të na largonin, na kanë afruar edhe më shumë. Ndoshta sepse vështirësitë kanë një mënyrë të veçantë për të treguar se kush qëndron pranë teje kur fryjnë erërat e forta.

Tani e kuptuam zë gjithë më së miri. Por sa e bukur është kjo botë kur ke privilegjin ta vizitosh në çdo cep të saj, kur ke fatin të punosh në më shumë se dhjetë shtete, në disa kontinente dhe më e bukura nga të gjitha është kur këtë rrugëtim nuk e bën vetëm, por e ndan me familjen tënde. Përgjegjësinë, sfidat dhe fitoret. Në fund të fundit, suksesi nuk matet me sa larg shkon. Matet me sa njerëz fort të dashur ecin me ty në atë rrugë.